Organizata “Admovere” ka publikuar sot raportin “Profesorët përballë Ligjit”.
Sipas raportit, “Admovere” përmes këtij hulumtimi ka sjellë përballjen e pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së me ligjin në Kosovë, e që kanë rezultuar me aktakuza, kallëzime penale ose dënime nëpër institucionet e drejtësisë.
Megjithatë shumica e emrave të përmendur që kundër tyre ka pasur aktakuza tashmë kanë liruar nga drejtësia. Shumica prej tyre janë shpallur të pafajshëm nga të gjitha shkallët e gjykatës. Po ashtu një pjesë e profesorëve të përmendur në raport e që kanë ende aktakuza, akuzohen nga hetuesia për punën e tyre në poste publike e qeveritare e jo në punën e tyre akademike. Disa nga rastet e përmendura janë pjesë e akuzave “Pronto” e “Stenta” të dy këto aktakuza janë të ngritura për dyshime për keqpërdorime në institucione qeveritare.
Aulona Mehmeti autore e raportit ka thënë se kanë hasur edhe në vështirësi në qasje në informata. “Kemi trajtuar rastet në Kosovë me akuza penale. Raporti është fjala për profesorët të cilët kanë një status të veçantë, si po shkelet detyra brenda universitetit dhe jashtë”, ka thënë ajo.
Mehmeti ka folur edhe për rëndësinë e integritetit.
“Profesorët shërbejnë si model dhe është e rëndësishme aspekti etik, e dyta se janë shtresë akademike, e kanë obligim moral përpos ligjor”, ka thënë ajo gjatë prezantimit.