Avokati i Popullit sipas detyrës zyrtare ka analizuar nenin 86 të Rregullores së Kuvendit që ka të bëjë me trajtimin e punëve të pambaruara nga legjislatura e kaluar, sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe sot ka publikuar raportin me rekomandime në lidhje me këtë, njofton kumtesa zyrtare, transmeton Koha.net.
Raporti, bazohet në analizën komparative në mes të verzioneve zyrtare të gjuhës shqipe dhe të gjuhës serbe të nenit 86, të Rregullores së Kuvendit, të titullar “Punët e pambaruara”, i cili përcakton se: “Në fund të mandatit të Kuvendit, të gjitha punët që i janë besuar atij konsiderohen të përfunduara” dhe versionit të gjuhës angleze, i cili përcakton se: “Në fund të mandatit të Kuvendit, të gjitha punët që i janë besuar atij konsiderohen të papërfunduara [unfinished]”. Sipas, kësaj dispozite, fjalët kyçe të rregullores, jo vetëm që s’janë të barabarta në tri versionet e Rregullores, por janë edhe plotësisht të kundërta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAvokati i Popullit, konsideron që fjalët “të përfunduara” nuk duhet të interpretohen si të barabarta me “të anuluara”, pasi që një punë e cila konsiderohet si “i përfunduar” në një mandat të Kuvendit, nuk do të thotë detyrimisht se Kuvendi i ri s’mund ta rinisë atë punë aty ku Kuvendi i kaluar e ka përfunduar, përveç në tri raste specifike, të cilat ceken shprehimisht në nenin 86.
Avokati i Popullit, duke u mbështetur në praktikën e deritashme se të gjitha punët e pambaruara në fund të një mandati të Kuvendit nuk mund të vazhdohen, dhe duhet të rinisen nga hapi i parë, tërheq vëmendjen në koston shumë të lartë nga këndvështrimi i efikasitetit legjislativ, nëse Kuvendi do të detyrohet të rinisë çdo punë nga hapi i parë. Detyrimi i tillë, nëse imponohet, do të kishte pasojë si në projektligjet të cilat pothuajse kanë kaluar tërë procesin e shqyrtimit në komisionet e Kuvendit, po ashtu edhe në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve ose agjencive të pavarura dhe të bordeve të ndryshëm. Në këtë mënyrë, detyrimi për të rinisur çdo punë nga e para, rrezikon të vonojë punët e Kuvendit, si dhe të pengojë mirëfunksionimin e institucioneve të tjera që janë në pritje të vendimeve të tij.
Po ashtu, Raporti përmban hulumtim krahasues në mes Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Rregullores së Punës së Parlamentit Evropian sipas të cilit jepen sqarime rreth punëve të pambaruara në Parlamentin Evropian, duke vlerësuar se një praktikë e tillë do të duhej të praktikohej edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.