Arbëri

Pse është bllokuar linja e energjisë Shqipëri - Kosovë

Bllokimi i linjës së transmetimit të energjisë Kosovë-Shqipëri ka krijuar kosto të shumëfishtë për dy shtetet. Humbjet vjetore të përbashkëta llogariten në 15 milionë euro, pa përfshirë këstet e borxhit që qeveritë e të dyja anëve kanë nisur të shlyejnë.

Operatori i Kosovës i Transmetimit zbardh për qeverinë shqiptare arsyet e bllokimit, raporton “Revista Monitor”.

-Ja marrëveshja me 13 pika Thaçi -Vuçiq, mosrealizimi i së cilës mban peng linjën. Kostot e bllokimit përfshijnë të gjithë rajonin. Nuk ka zgjidhje në sfond.-

Linja e transmetimit Shqipëri- Kosovë, një projekt që u ka kushtuar financave të dy shteteve rreth 70 milionë euro, është e dyta në sektorin e energjisë pas termocentralit të Vlorës, që thuajse ka dështuar. Qytetarët shqiptarë, të cilët kanë financuar me taksat e tyre këto dy projekte, do të duhet që përveç fitimit të munguar të paguajnë në vijim këstet e kredive mbi 140 milionë euro që qeveria shqiptare ka marrë për ndërtimin e këtyre dy veprave.

Sipas zhvillimeve të deritanishme, linja e transmetimit të energjisë, Shqipëri –Kosovë është çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve evropiane, rregullatorë të energjisë.

Operatori i Transmetimit të Energjisë së Kosovës (KOSTT) në një material shpjegues që ka dhënë për qeverinë e Shqipërisë, ka sqaruar se qeveria serbe e ka kushtëzuar pavarësinë e sistemit të Kosovës me krijimin e një ndërmarrje serbe të tregtimit të energjisë në Veri të Kosovës. Pala e Kosovës e kishte dhënë mirëkuptimin për krijimin e saj në marrëveshjen e vitit 2015, dhe me herët në vitin 2013. Por më vonë, teksa ndërtimi i linjës së transmetimit 400 kilovot ndërmjet Shqipërisë kishte nisur, Kosova nuk mund të lejonte krijimin e ndërmarrjes serbe në Veri, për faktin e thjeshtë se aplikimi serb i drejtohej Kosovës si republikë serbe. Ky përcaktim në kërkesën e Serbisë duket se do të mbajë peng në një periudhë të pacaktuar funksionimin e linjës, duke krijuar humbje miliona euro si për Kosovën, edhe për Shqipërinë.

Drejtori i Operatorit Shqiptar të Transmetimit (OST) Engjëll Zeqo tha se humbjet vjetore nga të ardhurat e munguara nga mosfunksionimi i linjës janë 500 mije-1 milion euro në vit, në varësi të volumeve të tregtimit, por më e keqja është se mosfunksionimi i kësaj linje pengon seriozisht funksionimin e tregut ballkanik të transmetimit.

Nga ana tjetër, Operatori i Transmetimit të Kosovës humb në një vit fiskal rreth 14 milionë euro duke mos vjelë tarifat e transmetimit ndërkufitar të energjisë, të cilat shkojnë në arkën e operatorit serb, EMS. Humbjet vjetore të përbashkëta llogariten në 15 milionë euro, pa përfshirë këstet e borxhit që qeveritë në të dyja shtetet kanë nisur të shlyejnë.

Qeveria e Serbisë duket se nuk do të ketë tërheqje, pasi nuk i ka respektuar afatet e vëna nga Komuniteti Europian i Energjisë, i cili kërkoi që problemi të zgjidhej brenda vitit 2016, por deri më tani nuk ka dhënë asnjë shenjë mirëkuptimi.

Kosova shpjegon kleçkën e bllokimit

Njohja dhe operimi i Operatorit të Transmetimit të Energjisë së Kosovës (KOST) si operator i pavarur në përputhje me marrëveshjen për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE respektivisht pika 2, dhe marrëveshjeve të tjera me operatorët e tjerë(EMS Serbia, GGES Mali i Zi, MEPSO Maqedonia dhe marrëveshjes KOSTT-ENTTSO-e dhe KOSTT)do të duhej të ndodhte nga 30 tetori 2015, sipas një shpjegimi, që Operatori i Transmetimit të Kosovës ka dhënë për qeverinë e Shqipërisë.

Në materialin shpjegues për Shqipërinë, pala e Kosovës pranon se autoritetet serbe e kishin dhënë mirëkuptimin kundrejt krijimit të një operatori serb të energjisë në veri të Kosovës. Pala e Kosovës duhet të kishte përmbushur këtë detyrim para 30 nëntorit 2015, veprim ky që do t’i hapte udhë sistemit të transmetimit të Kosovës që të operonte, por nuk e ka bërë. Sipas shpjegimit zyrtar të operatorit të Kosovës, licencimi i operatorit serb në Veri është shoqëruar me probleme dhe për pasojë, leja nuk është dhënë. Kleçka lidhet me aplikimin serb që i drejtohet Kosovës si republikë serbe.

“Për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve nga EMS Serbia dhe problematikave që lidhen me licencimin e furnizuesit në Veri, marrëveshja ndërmjet KOSTT dhe ENTSO nuk është në funksion dhe KOSTT nuk njihet nga TSO-të europiane si operator i pavarur i sistemit elektroenergjetik”,- ka shpjeguar kompania e Kosovës për qeverinë shqiptare.

Pasojat e mosnjohjes së KOSTT si operator i pavarur në sistemin elektroenergjetik janë të mëdha si: Pamundësia e implementimit të kërkesave të BE për liberalizimin e tregut, zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, pengesat për zhvillimin e sektorit të energjisë në përgjithësi dhe humbjet financiare direkte dhe indirekte në sektor dhe KOSTT.

Kosova refuzon marrëveshjet rajonale, rrezikon tregu i përbashkët

Bllokimi i linjës së transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës më shumë se një mungesë përfitimesh nga dy vendet tona është një pengesë serioze për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal. Kosova, për shkak të pozitës gjeografike, është e vendosur në mes të rajonit dhe si e tillë problemet që lidhen me sistemin e transmetimit të Kosovës ndikojnë negativisht të gjithë rajonin.

KOSTT ka pohuar se për shkak të pamundësisë së fillimit të operimit si zonë e pavarur rregulluese sipas planifikimeve nuk e ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet6 vendeve të Ballkanit që është rrjedhojë e marrëveshjes së Berlinit. Arsyet e mosnënshkrimit janë se nga katër masat e buta, të cilat duhet të implementojnë palët nënshkruese, tri prej tyre lidhen me operimin e pavarur të KOSTT si zonë e pavarur rregulluese. Në këto rrethana, KOSTT nuk ka pranuar të marrë detyra të cilat nuk mund t’i realizojë për shkak të kësaj gjendje. Këto masa janë: Zhvillimi i tregut të organizuar spot market, tregu balancues rajonal dhe alokimi i kapaciteteve rajonale.

KOSTT ka sqaruar qeverinë e Shqipërisë se refuzimi i nënshkrimit është bërë në koordinim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe ministren për dialog.

Përkundrejt mosnënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit, KOSTT është duke punuar për krijimin e kushteve të implementimit të masave sipas kërkesave të memorandumit.

Linja 400 kv Kosovë-Shqipëri është ndërtuar për të ndihmuar rritjen e kapaciteteve të shkëmbimeve tregtare të energjisë ndërmjet dy shteteve, zhvillimin e tregut të përbashkët dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në rajon. Kjo linjë ka ndikim të madh në sigurinë e operimit të sistemeve energjetike në rajon, shpjegon pala e Kosovës.

Importet e energjisë në Kosovë janë të prekura nga faktorët gjeopolitikë. Këta faktorë kanë penguar disponueshmërinë e kapacitetit transmetues si dhe në bilancin rajonal të energjisë.

Kostot për Kosovën

Sistemi i transmisionit të Kosovës është i ndërlidhur me sistemet e transmetimit të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë nëpërmjet linjave 400 kV, dhe në Shqipëri nëpërmjet një linje 220kV. Importet neto në Kosovë llogariten në mes të 5 dhe 17% të konsumit total vjetor gjatë 10 viteve të fundit.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka prodhim sezonal të energjisë, me disponueshmëri më të madhe në muajt e dimrit, dhe shumë të ndjeshme nga kushtet hidrologjike nga viti në vit.

Linja e re e transmetimit do të rriste kapacitetin e transferimit në çdo drejtim me rreth 500 MW. Një lidhje e re 400 kV në Maqedoni është planifikuar gjithashtu se do të rrisë kapacitetin e transferimit në çdo drejtim, një shtesë 500 MW. Kjo mund të ndihmonte në rritjen e tregtisë me Shqipërinë për të shkëmbyer hidropikun e Shqipërisë me brez jashtë pikut të Kosovës. Ky proces do të çonte në shfrytëzim më të lartë të kapaciteteve të termocentraleve të Kosovës.

Operatori i Transmetimit të Kosovës KOSTT sqaron se në rrethanat aktuale në të cilat kompania operon do të thotë se linja e re e transmetimit Shqipëri -Kosovë në aspektin ekonomik do të menaxhohet nga operatori serb EMS. Kjo ndodh për shkak se KOSTT nuk njihet si zonë rregulluese nga ENTSO dhe kështu nuk bën alokimin e kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me vendet fqinjë. Nga ky proces, operatori serb EMS mbledh të ardhurat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinjë. Për 2015, EMS serb ka përfituar nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare mes Kosovës me shtetet fqinjë një shumë prej 14.5 milionë euro. “Në këto rrethana, nëse kjo linjë futet në operim, do të ndihmojë të rriten të ardhurat e operatorit serb me investime të Kosovës. KOSTT është duke parë që ky dëm të parandalohet në të gjithë kufijtë elektrikë të Kosovës”, – thuhet në sqarimin e KOSTT për qeverinë shqiptare.

Kostot për Shqipërinë

Linja e re e transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të rriste garancitë e furnizimit të vendit me energji duke ndikuar edhe në uljen e kostove të importit.

Engjëll Zeqo, drejtor i Operatorit të Sistemit të Transmetimit pohon se mosfunksionimi i linjës ka sjellë pengesa në krijimin e tregut të përbashkët rajonal të energjisë, por Shqipërisë i ka krijuar humbje financiare të drejtpërdrejta. Zeqo tha se pala shqiptare ka nisur të shlyejë kredinë 35 milionë euro që është marrë nga donatorët për ndërtimin e linjës në pjesën shqiptare, pasi projekti në tërësi ka kushtuar rreth 70 milionë euro. Por përveçse qytetarët po shlyejnë nga taksat kreditë që u morën për investimin, që nuk dihet kur mund të nisë punë, OST ka një humbje vjetore nga të ardhurat e munguara 500 mijë deri në 1 milion euro. Kjo humbje e drejtpërdrejtë në financat e kompanisë nuk është dëmi i vetëm, – shton Zeqo pasi, nëse linja do të ishte në operim, kostot e transmetimit të energjisë do të uleshin. Kjo linjë transmetimi nuk ishte përgjegjëse vetëm për tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës, por për përcjelljen ndër rajonale të energjisë, – shpjegoi zyrtari i lartë i OST-së. Ai pohoi se shteti shqiptar është i paaftë për të ndikuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi është një problem i komplikuar politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia, zbardhet marrëveshja për energjinë e vitit 2013

Më ndërmjetësimin e BR, Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2013 kanë rënë dakord për zbatimin e një marrëveshje në fushën e energjisë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ranë dakord për fushën e energjisë si më poshtë:

1. Kosova do të lejojë Operatorin Serb të Transmetimit (EPS) të krijojë një kompani tregtare të energjisë në Kosovë, në përputhje me rregullat e Komunitetit të Energjisë dhe në përputhje me kuadrin ligjor rregullator të Kosovës.

2. EPS do të depozitojë dokumentet në Zyrën e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës për certifikatën e regjistrimit deri në fund të gushtit 2015.

3. Në përputhje me rregullat dhe afatet e vetë Kosovës, kjo certifikatë duhet të jepet brenda 7 ditëve.

4. Emri i kësaj kompanie do të jetë ‘ElektroSever’.

5. Kjo kompani do të licencohet në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të furnizuar, për të blerë dhe për të shitur energji në import dhe eksportit. Këto licenca do të dorëzohen në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator të Kosovës.

6. Licenca e furnizimit do të jetë operacionale kur KOSTT bëhet një anëtar i ENTSO-E.

7. ElektroSever do të nënshkruajë marrëveshje me KOSTT për të marrë pjesë në tregun e energjisë në Kosovë

8. ElektroSever do të kenë të drejtë për të kryer faturimin dhe arkëtimin, pasi këto janë aktivitetet normale të një kompanie furnizimi.

9.Do të ofrohen të dhëna në KOSTT, KEDS dhe ZRRE për infrastrukturën e transmetimit dhe të shpërndarjes. Këto të dhëna do të sigurohen nëpërmjet të BE-së.

10. ElektroSever do të hyjë në diskutime me KEDS dhe KOSTT-it, për të siguruar qasjen e palës së tretë në shërbimet e shpërndarjes.

11. Të dyja palët do të vazhdojnë të punojnë, me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim lejimin e ElektroSever të ofrojë shërbime të shpërndarjes të bazuara në parimet e “Marrëveshjet për të lidhur Energjinë”.

12. Serbia dhe EMS, do të mbështesin kërkesën e KOSTT-it për të nënshkruar një marrëveshje ndërlidhjeje me ENTSO.

13. Të dyja palët janë dakord se të gjitha pikat e këtyre përfundimeve do të zbatohen në mënyrë të pavarur.

Kosova ka konsideruar se marrëveshja do të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet, dhe të drejtën ndërkombëtare përkatësisht RKSKB 1244 dhe rregulloret përkatëse të UNMIK-ut, të cilat konsiderojnë se “Pronat brenda territorit të Kosovës janë në pronësi të Republikës së Kosovës”.

Serbia ka konsideruar se marrëveshja do të zbatohet në përputhje me ligjet vendore dhe ndërkombëtare, përkatësisht Rezolutës 1244, porse “prona brenda territorit të Kosovës është pronësia e Serbisë, në bazë të rregullores së veçantë krahinore dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Serbisë.