Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PSD: Prishtina, pikënisje dhe jehonë socialdemokrate

Partia Socialdemokrate sot ka mbajtur tubimin e degës në kryeqendrën e Republikës së Kosovës, Prishtinë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se kryetari, i kësaj partie, Shpend Ahmeti shpalosi para mbështetësve të shumtë orientimin programor dhe planin për shtrirjen dhe zgjerimin e PSD-së në çdo lagje e fshat të Prishtinës.

“Bashkë me koordinatorin e degës, Bashkim Behen dhe anëtaren e Kryesisë, Teuta Rrusta e cilësuan krijimin e infrastrukturës organizative si mundësi për përhapjen e platformës socialdemokrate që fuqizon politikat zhvillimore dhe sociale”, thuhet në komunikatë.

“Prishtina është komuna që luftoi me rezultate konkrete krimin e korrupsionin, që njihet sot edhe ndërkombëtarisht si shembull i transparencës radikale dhe i politikave të barazisë. Qeverisja socialdemokrate e Shpend Ahmetit përmirësoi dukshëm kushtet në sektorin e arsimit e të shëndetësisë; modernizoi administratën, shërbimet e transportin publik; si dhe zgjeroi hapësirat publike”, thuhet në komunikatë.

Shtrirja e strukturave të Partisë Socialdemokrate në Prishtinë është krijim i hapësirës për politika progresive. Këto politika janë domosdoshmëri për një shoqëri të zhvilluar dhe të barabartë gjithandej vendit. Shtrirja e modelit dhe programit socialdemokrat ka nisur në Prishtinë. Ai do të gjejë vend në gjithë Republikën tonë.