Edhe njëherë paria e Kosovës ka dëshmuar “odën e burrave”. Në mesin e gjashtë personave që Qeveria ka propozuar për ekip negociator me Serbinë nuk është asnjë grua.
Kjo nuk ka mbetur pa u kritikuar nga shoqëria civile, veçmas nga ata që merren me barazinë gjinore. Një gjë të tillë e ka bërë Luljeta Demolli, drejtoresh ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.
“Ekipi Negociator: 6 anëtarë, 6 burra, zero gra. Out”, ka shkruar ajo në Facebook.
Delegacioni i propozuar nga Qeveria ka këtë përbërje: kryesohet nga Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj është zëvendëskryesues, e anëtarë janë Behgjet Pacolli, Mahir Yagcilar, Avni Arifi dhe Dardan Gashi.
Kryesia e Kuvendit ka thirrur për nesër seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Qeverisë, për të miratuar këtë përbërje.