Propozim-rregullorja e re për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit. Në mbledhjen e fundit të organit më të lartë vendimmarrës ky propozim-akt është prezantuar nga Ekzekutivi, mirëpo në mungesë të kuorumit, i njëjti nuk është vënë në votim. Pavarësisht mungesës së numrit të mjaftueshëm të anëtarëve të Kuvendit për vendimmarrje, propozim-rregullorja është prezantuar, duke nxitur debat lidhur me përmbajtjen aktuale të saj.
Ekzekutivi komunal ka arsyetuar se kjo rregullore përcakton themelimin, formën dhe mënyrën e bashkëpunimit të komunës me këshillat lokale për çështjet e interesit publik në ushtrimin e aktiviteteve që janë në kompetencë të komunës.
Madje drejtori i Administratës, Osman Hajdari gjatë prezantimit të përmbajtjes së saj ka inkurajuar anëtarët e KK-së që të qëndrojnë në sallë, për ta shqyrtuar këtë akt.
“Jemi vonuar në hartim për shkak se ka pas një udhëzim të ri. Ka qenë një komision i KK-së, pastaj ka ndryshuar udhëzimi, Komisioni u bë jofunksional, dhe sot para jush e keni një propozim-rregullore. Jemi duke folur për një organizim, ku pika më e rëndësishme është se i kthen në nivel komune vetëm 40 bashkësi lokale, pra vetëm 40 kryetarë të fshatrave”, ka thënë Hajdari.
Ai ka sqaruar se Propozim-rregullorja parasheh që Kuvendi i Komunës të emërojë një komision për të udhëhequr dhe koordinuar punën në terren në zgjedhjen e këshillave lokale, që duhet t’i ketë shtatë anëtarë. Sipas tij, Komisioni i emëruar nga Kuvendi i Komunës dhe përfaqësuesit e fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane, bashkëpunojnë në mënyrë që të organizojnë zgjedhjen e anëtarëve të këshillave lokale dhe kryetarëve të këshillave lokale. Hajdari ka bërë të ditur se Komisioni i emëruar nga KK-ja, përmes zyrës për informim, njofton qytetarët 15 ditë para datës së mbajtjes së takimit me qytetarë për zgjedhjen e këshillave lokale, të cilat sipas tij mund t’i kenë nga pesë deri në nëntë anëtarë. Ai ka prezantuar edhe kriteret e përzgjedhjes për këshillat lokale, derisa ka shtuar se kompensimi i kryetarëve të këshillave lokale do të jetë simbolik.
Por Alush Shala i AAK-së ka kërkuar heqjen e kriterit ku thuhet se kandidatët për anëtarë dhe kryetarë të këshillave lokale nuk mund të kandidohen nëse janë të zgjedhur apo të emëruar në poste udhëheqëse në strukturat e subjekteve politike. Njëherësh ka kërkuar që të sigurohen zyra të punës për bashkësitë lokale, derisa pagesën e paraparë e ka vlerësuar tejet të ulët.
Karanfil Haxhillari i VV-së duke theksuar se e ka të qartë që shumë dispozita të propozim-rregullores përcaktohen nga Udhëzimi administrativ, megjithatë ka shprehur vërejtjen për krijimin e bashkësive lokale me disa fshatra.
“Ne mund ta votojmë, por gjendja në terren mund të dal problematike”, ka deklaruar ai.
ka theksuar se ka 2 vjet që iu ka skaduar mandati kryetarëve të bashkësive lokale, dhe se si pasojë kanë dështuar edhe debatet publike të organizuara nga Komuna.
kuvendari Petrit Hoxhaj ka pohuar se mund të ketë fshatra që nuk kanë raporte të mira mes vete, ndërkohë që me rregullore parashihet që të bëhen bashkë. Jam kundër bashkimit të disa fshatrave në një bashkësi lokale”, është shprehur ai, teksa ka shtuar se mandati i KK-së është afër përfundimit dhe se kjo çështje duhet të vendoset nga përbërja e ardhshme e Kuvendit.
Qemal Krasniqi i LDK-së ka pohuar se edhe përfaqësuesit e bashkësive lokale kanë shprehur pakënaqësi dhe se kanë adresuar kërkesa për ndryshim të propozim-rregullores.
“Ndarja duhet bërë në terren, jo prej zyrave. Ka ndarje pa logjikë e të gabuara”, ka thënë Krasniqi.
Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj është pajtuar me konstatimin se në terren mund të ketë probleme, bazuar në propozimet për krijimin e bashkësive lokale të reja.
Ndërsa drejtori Hajdari është përgjigjur se ka 2 vjet që Kuvendi nuk e ka zgjedh Komisionin përkatës, dhe se Ekzekutivi ka përgatitur Propozim-rregulloren bazuar në Udhëzimin Administrativ të nivelit qendror, që parasheh krijimin e 40 bashkësive lokale në territorin e Komunës së Prizrenit.
“Shumica e kufizimeve rrjedhin nga Udhëzimi Administrativ. Ju mundeni me e shty votimin, me bo draft të ri. Ndoshta nuk është akti më i mirë, por unë jam i obliguar që ta sjellë në Asamble. Ndërsa ju me Komision mundeni me i trajtua të gjitha çështjet një nga një”, ka thënë Hajdari.
Pas shterjes së debatit, kryesuesi Badallaj ka konstatuar se në sallë janë 19 anëtarë të KK-së dhe se për vendimmarrje nevojiten së paku 21 vota.
“Nuk kemi mundësi për vendimmarrje”, ka thënë ai, duke e shtyrë këtë pikë dhe disa tjera për seancën e radhës.