Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha patundshmëritë në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë, që ndodhen në vendin tonë, do të regjistrohen si prona të Republikës së Kosovës.
Ky vendim ka ardhur pas kërkesës që Ministria e Drejtësisë i kishte bërë më 27 shkurt të këtij viti Qeverisë së Kosovës që të fuste në rend dite shqyrtimin e propozimit në lidhje me propozim-vendimin për udhëzimin e Agjencisë Kadastrale për regjistrimin e paluajtshmërive në emër të Republikës së Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë kërkesën e MD-së, të nisur nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Eset Rama drejtuar Fitim Krasniqit dhe Arben Krasniqit, i pari Sekretar i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit dhe i dyti Drejtor i SKQ, po ashtu në Zyrën e Kryeministrit, kërkesë të cilën e ka siguruar Koha.net, thuhet se një prej problematikave që ekziston tani, dhe që duhet evituar në të ardhmen, është se, “edhe pse Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur që nga viti 2008, në regjistrat e kadastrës dhe të regjistrit të drejtave të pronës së paluajtshme ende ka organe publike që i atribuohen (i) Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht Republikës Federative të Jugosllavisë, (ii) Republikës Socialiste të Serbisë, përkatësisht Republikës së Serbisë, dhe (iii) të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, të cilat janë të regjistruar si pronarë të pronave të paluajtshme në Republikën e Kosovës”.
“Republika e Kosovës nuk i ka korrigjuar regjistrat përkatës sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare publike për suksedimin shtetëror me qëllim që pronat e paluajtshme të cekura si më parë të jenë të regjistruara në emër të Republikës së Kosovës. Mungesa e korrigjimit të tillë të regjistrave në fjalë ka për pasojë pasiguri juridike rreth titullarit të ligjshëm të pronave dhe cenon pasurinë e paluajtshme të Republikës së Kosovës duke e bërë të vështirë që kjo të shfrytëzohet për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit”, thuhet më tej në opinionin e MD-së drejtuar Qeverisë së Kosovës, raporton Koha.net.
Më tej jepen edhe arsyetimet e këtyre ndryshimeve duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare publike, në të drejtën kushtetuese dhe në legjislacion.

Ministria e Drejtësisë thotë se pas vendimit të Qeverisë, baza juridike për ndryshimin e regjistrit të kadastrës, përkatësisht regjistrit për të drejtat në pronën e paluajtshme është Ligji nr. 2002/5 për Themelimin e Regjistrit e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, të ndryshuar me Ligjin nr. 2003/13 dhe Ligjin nr. 04/L-009, neni 5.
Në këtë kërkesë të MD-së drejtuar Qeverisë është bashkëngjitur edhe lista e organeve publike në territorin e Republikës së Kosovës që janë të regjistruara në emra të ndryshëm, siç u cek më lart.
