Njëmbëdhjetë vjet pasi i është dhënë monopoli për homologim kompanisë “Eurolab”, Prokuroria e Shtetit ka mbërritur në përfundimin se në këtë rast nuk ka elemente të korrupsionit. Siç është informuar KOHA, para disa ditësh, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu ua ka kumtuar hetuesve të rastit se ka vendosur që ky rast të mbyllet.
KOHA e ka kontaktuar prokuroren e rastit, Fejzullahun. Ajo ka thënë se do të përgjigjet përmes Zyrës për Informim, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Mbylljen e hetimeve, ndërkaq, e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Nëpërmjet një përgjigjeje të shkurtër, ky institucion ka thënë se prokurorja e rastit e ka njoftuar gojarisht hetuesin që hetimi është mbyllur, shkruan KOHA.
“Kemi kërkuar që një gjë e tillë të na bëhet e ditur me shkrim, por ende nuk kemi marrë përgjigje”, kanë thënë nga Policia.
Me 25 gusht të vitit 2019, hetuesit patën kërkuar autorizim për intervistimin e disa figurave politike të përfshira në këtë rast. Megjithatë, atëkohë nuk ishte lëshuar autorizim për intervistim.