Arbëri

Projektligji i ri i siguron RTK-së financim 21 milionë euro

Rreth 21 milionë euro pritet të jetë financimi i Radio Televizionit të Kosovës me projektligjin e ri, raporton KTV.

Përmes versionit aktual, qytetarët obligohen të paguajnë dy herë për operimin e transmetuesit publik.

Një herë përmes tarifës 2.50 euro, e cila do t’u shkojë bashkë me faturat e energjisë si dhe nga buxheti i shtetit do t’i ndahet 0.4 përqind. Më këtë nuk pajtohen qytetarët të cilët refuzojnë t’u imponohet kjo pagesë. Po ashtu, ligji ia jep mundësinë e transmetimit të reklamave të kompanive private.

Përveç që ligji është në favor të menaxhmentit, ngase drejtorit i është zgjatur mandati dhe i është hequr kufizimi i dy mandateve, ai është i mbrojtur edhe nga dështimet e votimit të raportit të punës në Kuvend. Nëse dy herë radhazi Kuvendi i Kosovës nuk e miraton raportin e punës së RTK-së, atëherë shkarkohen anëtarët e bordit por jo shefi. E në këtë ligj nuk përfshihet fare çështja e pronësisë, pavarësisht se është diskutuar shumë herë. Komisioni për Administratë Publike kishte dështuar disa herë ta procedojë në kuvend këtë ligj, në mungesë kuorumi. Madje, në dy takimet e fundit, komisioni atë nuk e kishte publikuar si temë diskutimi në rend dite. E si përfundim, kryetari i komisionit, Nait Hasani, nuk ua kishte dhënë mundësinë anëtarëve për diskutim.