Profesorët universitarë të angazhuar në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë të premten pritet të hyjnë në ditën e katërt të bojkotit të punës. Që nga e hëna, 17 profesorë të kësaj shkolle të drejtimit matematikor dhe të informatikës që paguhen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk kanë dalë në vendin e punës, pasi kjo ministri që nga shtatori i ka lënë pa kontrata dhe nuk i ka paguar.
Gjysma e stafit të kësaj shkolle janë profesorë universitarë që paguhen nga MASHT-i, kurse pjesa tjetër janë staf i shkollave të mesme që i ka angazhuar Komuna e Prishtinës. Aktualisht problemin me pagesa e kanë vetëm profesorët universitarë që paguhen nga MASHT-i, shkruan sot Koha Ditore.
Nga mungesa e profesorëve preken gjithsej 124 nxënës të këtij gjimnazi, që synohej të jetë shkollë elitare në Kosovë.
Të enjten pasdite, Këshilli Drejtues i shkollës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme e cila ka zgjatur më shumë se tri orë, mirëpo nuk është arritur ndonjë marrëveshje për fillimin e punës.
Anëtari i Këshillit Drejtues që njëherësh është profesor në këtë shkollë, Muhib Lohaj, ka thënë se edhe pas takimit nuk është arritur marrëveshje që ata t’i rikthehen punës. Lohaj ka bërë të ditur se janë në pritje të kontratave nga MASHT-i dhe se, sipas të gjitha gjasave, pa u kryer obligimet ndaj tyre nuk do të dalin në vendin e punës... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)