Arbëri

Prodhimi e të hyrat në “Trepçë”, shkaktarë të grevës e të dorëheqjes së drejtorit Vinarci

Trepça

Për një javë, minatorët e Trepçës mbajtën dy herë grevë për të marrë atë që u takon – pagat. Ata u futën edhe sot në grevë, por ajo nuk zgjati shumë, pasi në llogari u doli edhe pjesa tjetër e pagës së qershorit. Mosekzekutimi i pagesave, nga bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes është arsyetuar me të hyrat e pamjaftueshme dhe prodhimin e ulët. Për shkak të telasheve, dorëheqjen e ka ofruar edhe një udhëheqës i ndërmarrjes

Minatorëve të Trepçës u ishte premtuar se paga e qershorit do t’u ekzekutohet plotësisht të premten e javës së shkuar, por u desh edhe një grevë disaorëshe nga ta sot, që pagesa të kryhet.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, grevën e arsyetoi me vështirësitë financiarë që minatorët kanë, teksa tregoi se edhe të hyrat të minierës janë çdo ditë e më të pakta.

“Realizimin e pagave e kemi me të hyrat vetanake dhe kjo po shkakton, mirëpo kjo nuk është problem i minatorëve, këtu është problemi i menaxhmentit i cili duhet të bëjë zgjidhje që pagesa duhet të kryhet për minatorët”, ka thënë Januzi.

KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim nga kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave të martën.

E kryesuesi i Bordit mbikëqyrës të kësaj ndërmarrjeje, Bahri Hyseni, tha se të hyrat e pamjaftueshme dhe prodhimi i ulët janë shkaktarët që pagat nuk janë kryer me kohë. Sipas tij, as plani i prodhimit për muajin qershor nuk është realizuar.

Për disa orë, minatorët mbajtën grevë edhe para pak ditëve. Ata e ndërprenë grevën pasi u doli gjysma e pagës dhe iu dha premtimi se gjysma tjetër do të dalë të premten që shkoi.

Hyseni thotë se me greva vetëm sa po humbet kohë.

“Edhe në ditën e parë të grevës edhe sot i luta që të hyjnë në punë sepse pagat do të paguhen dhe nuk është punë e punëtorit ta kushtëzojë tash me punën e vetë pagën. Paga do të paguhet, por dita e sotme shkoi, sot është ditë e humbur për ta, është e humbur në kuptimin se nuk është punuar”, ka deklaruar Hyseni.

Shkaku i prodhimit të ulët dhe telasheve financiare, udhëheqësi i Njësisë Biznesore “Trepça”, Behxhet Vinarci, thotë se ka ofruar dorëheqjen.

“Shumëçka ka pasur probleme këtë kohë të situatës politike në pjesën veriore, blerësi ka hezitu për shkak të gjendjes çfarë ka qenë me ardhë me kohë me i kry ato obligimet e veta edhe në këtë mënyrë kanë mungu do të thotë rrjedha e financave. Pastaj, minierën e kanë përcjellë shumë faktorë, e ka përcjellë mungesa e furnizimeve me kohë të pjesëve vitale”, ka thënë Behxhet Vinarci – ish-udhëheqës i njësisë biznesore “Trepça”.

Behxhet Vinarci ishte emëruar udhëheqës i Njësisë Biznesore “Trepça” më 27 korrik 2022. Në vend të tij, si ushtrues detyre është caktuar Fatos Begu.

Begu nuk është deklaruar gjatë së martës me arsyetimin se ka rast vdekjeje.