Arbëri

Pritja mbi dydekadëshe e familjarëve për kthimin e të zhdukurve me forcë

19 prillin e 1999-s, Adem Ademi, kirurg nga Mitrovica, pati bërë përpjekje bashkë me një grup prej 28 personash që të dalë në Mal të Zi për t’i shpëtuar luftës. Në malet e Zubin- Potokut, 23 nga ta u kapën prej forcave serbe dhe që atëherë motra e tij, Lutfie Ademi, më nuk di gjë për të. E ndonëse kanë kaluar 24 vjet, ajo ende shpreson se vëllai do të kthehet i gjallë një ditë

Lutfie Ademi nuk ka reshtur së kërkuari vëllain e saj, Adem Ademi, i cili ishte zhdukur në Mitrovicë më 19 prill të vitit 1999.

Atë ditë Ademi, me profesion kirurg, pati bërë përpjekje që bashkë me një grup prej 28 personash të tjerë të dalë në Mal të Zi për t’i shpëtuar luftës. Në malet e Zubin- Potokut, 23 nga ta u kapën prej forcave serbe dhe që atëherë Lutfia më nuk di gjë për Ademin.

Ajo tregon se lajmin për zhdukjen e Ademit ia pati kumtuar vëllai tjetër që jetonte në Gjermani, teksa ajo ishte në Maqedoni, pasi ishte obliguar nga paramilitarët serbë që të largohej nga shtëpia e saj.

E ndonëse kanë kaluar 24 vjet, Lutfia ende shpreson se vëllai do të kthehet i gjallë një ditë.

“Ata nuk e kanë marrë të vdekur. E kanë marrë të gjallë. Unë prej tyre e lypi të gjallë. Shpresat nuk më humbin kurrë derisa nuk e shoh vetë me sytë e mi që u kthy, në njëfarë mënyre ashtu apo kështu”, thotë ajo me buzën në vaj.

Kirurgu Ademi ishte 51 vjeç kur u kap rrugës për në Mal të Zi. Gjatë luftës ai ishte angazhuar në mjekimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e edhe të civilëve.

Sikurse Ademi, deri më tani nuk janë gjetur edhe më shumë se 1.600 kosovarë të zhdukur me forcë gjatë luftës.

Në ditën kombëtare të të zhdukurve në Kosovë, familjarë të tyre janë ankuar për punë të pamjaftueshme të institucioneve në kuptim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“S’po mundohet askush edhe kurrgjë, se me u pas mundu dikush si me i pas gjetë, por i kanë harru krejt, çka kena me ba”, ka thënë Nurije Avdiu, e cila ka të zhdukur me dhunë djalin e vëllait të saj.

Ndërsa motra e Ademit, Lutfija, thotë se dhimbja po i shtohet edhe më tepër kur sheh se qeveritarët nuk po ndërmarrin gjë për ta shtyrë Serbinë që të shpalosë dokumentet dhe shënimet që do të ndihmonin në gjetjen e vëllait të saj dhe të të zhdukurve të tjerë.

“Serbia i ka krejt ato shënime, derisa Perëndimi e Bashkimi Evropian nuk bënë trysni mbi Serbinë që ata t’i hapin dokumentacionet e tyre dhe t’i dorëzojnë shënimet se ku janë ata më të dashurit tonë”, shprehet ajo.

Në shënimin e ditës kombëtare të të zhdukurve, përfaqësues të institucioneve thanë se po punojnë që t’i bëhet më shumë presion Serbisë për ta treguar të vërtetën mbi ta.

“Çka na mbetet neve është që jo vetëm t’i kujtojmë ata të cilët i rrëmbeu dhe i zhduku me dhunë, por edhe që ta ngremë zërin vazhdimisht e të punojmë së bashku me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që fati i tyre të zbardhjet e që Serbia të japë përgjegjësi e llogari për të gjithë qytetarët tanë të cilët i rrëmbeu dhe i zhduku”, është shprehur kryeparlamentari Glauk Konjufca.

E kryeministri Albin Kurti, në përkujtim të të zhdukurve më dhunë, bëri homazhe te përmendorja dedikuar atyre në kryeqytet. Prej aty ai e adresoi nevojën për drejtësi teksa i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që dëshmitë e marra t’i përkthejë në aktakuza.

Kurti të martën e 2 majit do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë së cilit takim pritet të firmoset edhe një deklaratë për të pagjeturit.

“Pikërisht të pagjeturit janë në një situatë të veçantë, ku ankthi është edhe më i madh sesa pikëllimi, ku zemërimi është më i madh sesa vajtimi. Andaj, pres që më datën 2 maj, nga ndërmjetësit, nga lehtësuesit evropianë, siç e kemi thënë në Ohër më 18 mars, ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje”, deklaroi Kurti.

E Lutfie Ademi insiston se duhet të vendoset sa më parë termi “personat e zhdukur me dhunë”.

“Ata janë të kidnapuar me dhunë, ata nuk janë të zhdukur. Unë nuk them që vëllai im është i zhdukur se për mua është i zhdukur dikush, një diçka kur humbet aty për aty, e derisa unë e di që e kanë marrë ata, atëherë nuk mund të them kur diçka nuk dihet me thanë e zhdukur. Unë e di kush e ka marrë vëllain tim. Nuk mundet me qenë i zhdukur, unë prej tyre e kërkoj vëllain”, shprehet ajo.

Në datën e përkujtimit të të pagjeturve është bërë edhe shpalosja e një pllake në Prishtinë që e shenjëzon memorialin për personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Për sinjalizimin e kësaj pllake u përkujdesën përfaqësues nga Organizata e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Marigona Shabihu, përfaqësuese e organizatës, tha se çështja e të pagjeturve në dialogun Kosovë–Serbi duhet të ketë rezultate konkrete, pasi që familjarët po jetojnë përditë në ankth.

“Qeveria e Serbisë sigurisht që e ka barrën më të madhe, përgjegjësinë më të madhe, por edhe Qeveria e Kosovës duhet të mbajë përgjegjësinë e saj dhe të jetë bashkëpunuese dhe të bëjë punën e saj me përkushtimin më të madh që të respektojë dhe përfundimisht ta ndalë dhimbjen e gjithë familjarëve të mbi 1.600 personave”, u shpreh Shabihu.

Të enjten janë shënuar disa aktivitete në përkujtim të të pagjeturve. Në kuadër të kësaj dite është bërë edhe prezantimi i dokumentarit për krime lufte në Bibliotekën Kombëtare nga shoqata “Ngritja e Zërit”.