Një deri në tri orë mesatarisht, prindërit i shpenzojnë duke i ndihmuar fëmijët e tyre për t’i kryer detyrat e shtëpisë. Sipas tyre, obligimet që nxënësit i marrin në shkolla janë kthyer në punë me gjysmë orari për ta. Ngarkimi i fëmijëve me detyra është vlerësuar si dështim i institucioneve për të realizuar mësimin tërë-ditor
Detyrat e shtëpisë shihen si një ndër metodat më të rëndësishme në procesin e mësimnxënies.
Por prindërit thonë se obligimet që nxënësit i marrin në shkollë janë kthyer në punë gjysmë orari për ta. Çdo ditë, sipas tyre, mesatarisht i kalojnë 1 deri në 3 orë për t’u ndihmuar fëmijëve në kryerjen obligimeve shkollore.
“Sa paku 1 orë e 30 minuta, më së paku për detyra. Këtu shto dhe atë pjesën ku duhet të ushtrojmë me të, pasi për çdo javë ka diktim fëmija dhe faktikisht po duhet të merremi më tepër”, ka thënë Fatos Preniqi, tek ka treguar angazhimin në detyrat e fëmijës së tij. “Ne nganjëherë po e shohim veten edhe si nxënës, pasi thashë në fillim që nuk po i kuptojmë disa prej detyrave. Janë paksa të komplikuara”.
Ankesa ka edhe Artina Sadiku, prind i një nxënësi tjetër.
“Kam pasur ofertë për punë. Nuk kam dashur të punojë vetëm për shkak të djalit se e kam në klasë të parë dhe është i ngarkuar me detyra. Mos të them që klasa e parë është pak më mirë, ndërsa klasa e gjashtë është goxha e ngarkuar”, ka thënë ai.
Mësimdhënësja e ciklit të ulët në shkollën “Dardania”, Vjollca Ramabaja, vlerëson se detyrat e shtëpisë janë të rëndësishme për përforcimin e njohurive të fituara.
“Duke pasur parasysh që ne nuk jemi në mësim gjithëditor dhe duke pasur parasysh se dallon nga sistemi i shkollave private, detyrat e shtëpisë janë të nevojshme për nxënësit për arsye që t’i përforcojnë njohurit që i kanë marr në klasë”, ka thënë ajo. “Por edhe nëse kish pasë mësim gjithëditor, prapë një detyrë kish qenë e nevojshme pasi përsëritja është suksesi i gjithë nxënësve. Kot mësojmë në shkollë nëse ato nuk përsëriten në shtëpi”.
Ngarkimi i fëmijëve me detyra sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, është dështim i institucioneve vendimmarrëse për të realizuar mësimin tërëditor.
“Ky mbingarkim i nxënësve me detyra të shtëpisë padyshim ka të bëjë shumë edhe me dështimin në realizim të planprogramit mësimor dhe të atyre rezultateve te nxëniet brenda një ore mësimore. Pra pa fajin e fëmijëve mirëpo për shkak të dështimit të sistemit, atyre u bartet si një përgjegjësi shtesë mekanike kryesisht edhe gjatë punës në shtëpi”, ka thënë Qehaja.
Në studimin mbi efektin e detyrave të shtëpisë te nxënësit, i realizuar nga Universiteti “Duke”, është thënë se ka prova të qëndrueshme se kjo metodë ka ndikim pozitiv, porse nuk është gjetur asnjë provë e fortë se ndikon në rritjen e rezultatit të nxënësve.