Një proces gjyqësor ndaj institucionit që është i thirrur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është iniciuar nga njëri prej kandidatëve që ishte pjesë e konkursit për zëvendësavokat të popullit. Selman Ymeri pretendon se i është bërë e padrejtë në poentim dhe se nuk janë respektuar rregulloret në rastin e kërkesës për t’ia vënë në dispozicion vlerësimin e komisionit. Por Institucioni i Avokatit të Popullit i ka mohuar këto pretendime, teksa rasti është adresuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës
Pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut janë ngritur ndaj institucionit që është i thirrur për mbrojtjen e tyre. Shkas është bërë konkursi për zëvendës të Avokatit të Popullit, i cili është mbyllur vitin e kaluar me përzgjedhjen e kandidatëve nga Kuvendi i Kosovës.
Por kandidati Selman Ymeri që ka hyrë në listën e ngushtë pas intervistimit me shkrim, por jo edhe në atë me gojë, e ka kontestuar konkursin në instanca të ndryshme. Tani lënda është në shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Referuar rrjedhës së konkursit, Ymeri ka ngritur pyetjen se si ka mundësi që kur kandidati i cili me pikët e fituara në testin me shkrim radhitet i dyti në mesin e 25 kandidatëve, të mos radhitet në mesin e 10 kandidatëve të parë në listën përfundimtare.
“Padrejtësia ndaj meje ka nisur qysh nga intervista me shkrim, ku nga pesë anëtarë të panelit vlerësues, unë vlerësohem nga katër prej tyre në superlativ me notë të shkëlqyeshme, nëse shprehemi në kuptimin e studentit në provim. Ndërkaq vetëm nga avokati i popullit që ka qenë kryesues unë vlerësohem nën 50 për qind, konkretisht 44. Pra nga 40 pikë të mundshme ai mi ka dhënë vetëm 18 pikë”, ka thënë Ymeri.
“Argumenti se është shkelje qëndron në atë se anëtarët e tjerë m’i kanë dhënë mbi 90 për qind të pikëve të mundshme. Tash i njëjti kandidat qysh mundet te teksti me shkrim t’i marrë pikët maksimale kurse në testin me shkrim minimumin e pikëve. Sipas avokatit të popullit, në intervistën me gojë nuk kam ditur të përgjigjem se kush jam, çfarë profesioni kam, cili është kontributi im për të drejtat e njeriut, gjë të cilën e bëj në baza ditore”, ka shtuar Ymeri, i cili aktualisht është zyrtar në Kuvendin e Kosovës.
Edhe
Avokati i Popullit pranoi mbi 1,600 ankesa, të drejtat e njeriut pa vëmendje institucionale
Avokati i Popullit mohon akuzat
Në institucionin e avokatit të popullit i kanë mohuar këto akuza, duke thënë gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe rregullave që aplikohen në konkurse.
“Kemi shpjeguar shumë herë nëpër media për konkursin e vitit të kaluar që çdo gjë ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe transparente. I tërë procesi është vëzhguar nga fillimi deri në mbarim, ka pasur edhe monitorues nga zyra e BE-së, OSBE-se dhe përfaqësuesi nga zyra e komisionarit të lartë për të drejtat e njeriut të OKB-së në Kosovë”, ka theksuar Petrit Çollaku nga zyra për informim e Avokatit të Popullit.
Në misionin e OSBE-së, që ka bërë monitorimin e konkursit, kanë refuzuar të komentojnë lidhur me rastin.
“Misioni i OSBE-së e ka monitoruar procesin me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit, por nuk ka bërë rekomandime për ndonjërin nga kandidatët. Misioni nuk mund të komentojë çështjet gjyqësore në vazhdim e sipër”, shkruan në përgjigjen e zyrës për informim në OSBE.
E drejta e kandidatit për raport me shkrim, të cilin e ka kërkuar Ymeri, përcaktohet me rregulloren përkatëse të Institucionit të Avokatit të Popullit.
“Pas secilës intervistë me gojë, anëtarët e Komisionit përpilojnë raport për pyetjet e parashtruara gjatë intervistës dhe për përgjigjet që i ka dhënë kandidati përkatës. Komisioni përfundon raportin me një vlerësim të shkurtër të përshtatshmërisë së kandidatit për pozitën për të cilën është propozuar, duke i cekur edhe arsyet për një vlerësim të tillë”, thotë neni 16.2 i rregullores për mënyrën e konkurrimit, procedurën e zgjedhjes dhe të propozimit të Listës me emrat e kandidatëve për zëvendës të avokatit të popullit.
Mungesën e një raporti të tillë e ka konfirmuar edhe Agjencia për informim dhe privatësi (AIP), në përgjigjen ndaj ankesës së Ymerit.
Edhe
Avokati i Popullit: Institucionet e drejtësisë s’po mund të garantojnë gjykim të drejtë
Në kërkesën e “Kohës” për përgjigje lidhur me rastin, AIP ka vënë në dispozicion vendimin ku Ymerit i refuzohet ankesa. Sipas këtij institucioni, në sqarimet që i ka ofruar Institucioni i Avokatit të Popullit, dokumenti i vlerësimit të cilin e ka kërkuar pala ankuese nuk ekziston dhe nuk është prodhuar ndonjëherë, “sepse një format i tillë nuk është i aplikueshëm”.
Deponimi i padisë në Themelore
“Gjatë procesit të shqyrtimit të kësaj ankese, si dhe në bazë të arsyetimit të ofruar nga IAP, Agjencia, në mbështetje të paragrafit 4 të nenit 11 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, mbështet qëndrimin e institucionit publik për refuzimin e qasjes së kërkuar, ngaqë AIP, në cilësinë e autoritetit të apelimit, në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të LQDP-së, nuk mund të obligojë një institucion publik që të ofrojë qasje në një dokument, për të cilin janë bërë deklarime zyrtare që nuk ekziston fare, sepse nuk është prodhuar apo aplikuar ndonjëherë. Meqë pala ankuese nuk e ka sjellë ndonjë dëshmi për ekzistimin e një formati të tillë të dokumentit të kërkuar, refuzimi i institucionit publik ndaj palës ankuese në këtë rast, konsiderohet i jashtëligjshëm”, shkruan në vendimin e agjencisë.
Ymeri edhe këtë e quan shkelje.
“Duke mos e prodhuar raportin e paraparë në rregullore, Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë shkelje dhe ka nxjerrë një raport të kamufluar. Unë mendoj se një raport i falsifikuar i është përcjellë Kuvendit mbi bazën e të cilit kuvendi ka proceduar e votuar më tej për t’i zgjedhur kandidatët për zëvendësavokat”, ka thënë Ymeri.
Pas këtij refuzimi, Ymeri ka deponuar padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe rasti është në procedurë të shqyrtimit.
“Nga dokumenti i Institucionit të Avokatit të Popullit, i quajtur – Përmbledhje e pikëve individuale të Komisionit të Testit me Shkrim, vërtetohet se, me gjithë diskriminimin dhe tendencën e Avokatit të popullit si kryetari i Komisionit Vlerësuar, për të më vlerësuar me sa më pak pikë, duke shkelur qartë dhe bindshëm parimin e meritokracisë, vërtetohet se në mesin e 25 kandidatëve për zëvendës Avokat të Popullit, unë jam i dyti me pikë – 158 pikë”, shkruan në padinë e Ymerit.
Edhe
Avokati i Popullit nis hetimet në lidhje me pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan
Themelorja në Prishtinë nuk ka ofruar sqarime se në cilën fazë ndodhet rasti.
“Edhe nëse Avokati i Popullit ka pasur tendencë të më eliminojë gjë për të cilën nuk dyshoj, unë do ta dokumentoj këtë në gjykatën themelore të Prishtinës ku do të kërkoj ekspertizë ligjore se a janë valide e meritore pikët që i kam marrë nga katër anëtarët e panelit apo ato që mi ka dhënë avokati i popullit”.
Pas propozimit të Avokatit të Popullit, Kuvendi i Kosovës kishte votuar për zëvendësavokat vitin e kaluar pesë kandidatët e listës së ngushtë: Anita Çavdërbasha, Majlindë Sinani-Lulaj, Niman Hajdari, Basri Kastrati dhe Marija Raduloviq.