Arbëri

Presidentja s’jep datë, opozita kërkon aplikimin e menjëhershëm për anëtarësim në KE

Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas presidentes së vendit, është në krye të prioriteteve të institucioneve.

Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë datë, Osmani ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Tash unë mendoj që është momentumi dhe, siç e dini, që nga zgjedhja ime si presidente dhe si udhëheqëse e politikës e jashtme kam insistuar që Këshilli i Evropës të jetë prioritet mbi prioritetet sa u përket organizatave ndërkombëtare. Jemi duke punuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila e ka përgatitur strategjinë”, ka thënë Osmani.

Përgatitjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas Institutit të Prishtinës për Studime Politike, janë bërë që nga shpallja e Pavarësisë.

Megjithëkëtë, ndër vite, sipas drejtoreshës së PIPS-it, Leonora Kryeziu, kanë munguar vullneti dhe uniteti politik.

“Besoj që nuk ka ndonjë pengesë reale, duhet punë, duhet vullnet politik dhe mendoj që kjo qeveri i ka duart e lira për të vepruar, ka shumicën, nuk ka pengesë, vetëm se duhet përgatitje të mira për t’iu qasur dhe se si t’i qasemi Këshillit të Evropës”, u shpreh Kryeziu.

Të mërkurën Komiteti i Ministrave të KE-së e ka miratuar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare për përjashtimin e Rusisë.

Aplikimin e menjëhershëm të Kosovës e ka kërkuar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

“Përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës le t'i paraprijë anëtarësimit të Kosovës. Mundësi të tilla të arta nuk injorohen, por shfrytëzohen. Është koha që Kosova të aplikojë, jo nesër, por sot”, ka pohuar Hoxhaj.

Ndonëse thotë se Rusia nuk ka qenë pengesa kryesore, sipas Leonora Kryeziut, largimi i saj nga Këshilli i Evropës ia bën më të lehtë punën Kosovës.

“Realisht nuk ka ndonjë pengesë, mungesa e Rusisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës është një ndihmesë, mirëpo unë mund të them se asnjëherë nuk ka qenë pengesa kryesore për të bërë një lëvizje kryesore. Tani kemi një grup të madh të parlamentarëve, të cilët nuk kanë të drejtë vote, nuk janë aty dhe e bëjnë më të lehtë, e bëjnë shumë më të lehtë pozicionin e Kosovës, mirëpo kjo nuk do të thotë se anëtarësimi do të jetë shumë i thjeshtë për Kosovën në këtë pikë”, shtoi Kryeziu.

Lidhur me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës, por të mërkurën nuk e ka marrë.

Rusia ka qenë anëtare e Këshillit të Evropës qe 24 vjet, derisa është hera e dytë në historinë 73-vjeçare të Asamblesë Parlamentare që bëhet thirrje për përjashtimin e një shteti.