Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenti kërkon mbrojtje të përhershme të të drejtave të viktimave të krimit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në hapjen e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, e cila organizohet nën patronatin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Ai me këtë rast ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë, përmes Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës që është nxjerrë më pas, Kosova ka shprehur zotimin dhe përkushtimin për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kosova ka miratuar dispozita ligjore mjaft të avancuara që promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e viktimave të krimit. Ligji për kompensimin e viktimave të krimit dhe krijimin e mekanizmave përkatës që janë të nevojshëm për zbatimin e këtij ligji është një prej këtyre dispozitave”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sot janë mbledhur për të treguar përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.

“Përkushtimi ynë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të viktimave të krimit, nuk është vetëm gjatë kësaj jave apo ndonjë jave të caktuar, por duhet të jetë i përditshëm”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës janë dhe duhet të jenë të vendosura në krijimin e kushteve dhe mundësive që garantojnë mbrojtje dhe ndihmë për viktimat e krimit, si dhe mbështetje në realizimin e të drejtave të tyre.

“Si president i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin t’i ftojë të gjitha autoritetet kompetente, që karshi obligimeve kushtetuese dhe ligjore të sigurojnë që viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet dhe profesionalizëm”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi është zotuar se do të vazhdojë angazhimin e tij që Kosova t’i promovojë, mbrojë dhe avancojë të drejtat e njeriut në përgjithësi, përfshirë edhe të drejtat e viktimave të krimit.

“Asnjëherë nuk do të mungojë përkushtimi ynë në garantimin e të drejtave për këtë kategori të qytetarëve, që në një moment të jetës së tyre i ka rastis fati të jenë viktima të krimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se nevojitet një angazhim më i madh i të gjithëve që në shtetin tonë të mos ketë më viktima të krimit.