Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Peter Knabel, ka thënë se kanë bërë gjithçka për të mbajtur mesfushorin Leon Avdullahu dhe mbrojtësin Albian Hajdari. Dy futbollistët e Hoffenhiemit vendosën t’i bashkohen Kosovës e jo Zvicrës.
Kishte bërë bujë vendimi i Avdullahut dhe Hajdarit për të luajtur për Kosovën në nivel senior.
“Ne provuam gjithçka. Madje vizitova Leon Avdullahun në Hoffenheim, së bashku me Murat Yakinin, por ai tashmë e kishte marrë vendimin”, ka thënë Knabel në intervistën dhënë të enjten për mediumin zviceran “SRF”.
Para se t’i bashkohej në shtator Kosovës, Avdullahu 21-vjeçar i lindur në Solothurn, kishte luajtur për të rinjtë e Zvicrës dhe pritej të ftohej te Zvicra A. Por vendosi për Kosovën. Në tetor luajti për Kosovën edhe Hajdari.
22-vjeçari Hajdari është i lindur e i rritur në Zvicër. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës dhe kishte një paraqitje për të rriturit e Zvicrës. Por vendosi që të paraqitet për Kosovën tash e tutje.
Hajdari e Avdullahu janë dy prej shumë lojtarëve që për shkak të prindërve shqiptarë, kanë mundësi të fitojnë pasaportë të Kosovës ose Shqipërisë.
Dhe, në Zvicër, Knabel thotë se 70 për qind e të rinjve kanë shtetësi të dyfishtë.
“Kjo na ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është kjo çështje. 70 për qind e lojtarëve tanë të rinj kanë shtetësi të dyfishtë. Konkurrenca midis federatave është vazhdimisht në rritje dhe vendet e tjera gjithashtu duhet të përballen me këtë sfidë. Në Angli, për shembull, 77 për qind e lojtarëve në ekipin kombëtar U17 kanë pasaporta të dyfishta”, është shprehur ai.
Numri i futbollistëve shqiptarë që luajnë për klube të Zvicrës dhe vende të tjera në Evropë, është i madh. Shumë më i madh është te gjeneratat e reja.
Adrien Llukes ka luajtur shkëlqyeshëm për Zvicrën në 1/8 e finales së Kupës së Botës për grupmoshën U17.
Qendërsulmuesi 17-vjeçar, Llukes, ka nënshtetësi të Zvicrës dhe Kosovës, dhe për këtë arsye, mediumet në Zvicër kanë shfaqur “frikë” se mund ta humbin.
Te Zvicra U17 në këtë Botëror luajnë edhe Erblin Sadikaj, Miran Sinani, Nico Lazri dhe Leonit Ibraimov.
Knabel është pyetur se “a duhet që lojtarët të zgjedhin një vend më herët?”
“Do të ishte mirë nëse vendimi do të merrej më herët, veçanërisht për vetë lojtarët. Atëherë ata nuk do ta kishin çështjen vazhdimisht në mendje dhe do të mund të përqendroheshin në edukimin e tyre. Megjithatë, e kam të vështirë të caktoj një datë të caktuar”, është përgjigjur i pari i shtëpisë së futbollit të Zvicrës.
Kosova e Zvicra ishin së bashku në grup për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Zvicra e siguroi Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada si e para e grupit, kurse Kosova do të paraqitet në plejofin kualifikues për Botërorin 2026.
Në gjysmëfinale takohet me Sllovakinë në Bratislavë. Ndeshja zhvillohet më 26 mars të vitit të ardhshëm.