Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenca: Osmani s’ka pranuar asnjë kërkesë për takim nga Abdixhiku

Presidentja Vjosa Osmani nuk ka pranuar asnjë kërkesë për takim nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina. 

Megjithatë, ai ka njoftuar se çdo lider institucional e parti politike është i mirëpritur në takim për të diskutuar për mbrojtjen e interesit shtetëror.

“Presidentja Osmani deri tashti nuk ka pranuar asnjë kërkesë për takim. Pavarësisht kësaj, dera e institucionit të Presidencës vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror”, kanë thënë nga Presidenca për KOHËN.

Abdixhiku të mërkurën ka paralajmëruar një takim me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit që pati me gazetarë e analistë në “rrugën e re, pa Kurtin”.

Duke folur për mediat, Abdixhiku ka pohuar se do të takohet me Osmanin për të diskutuar gjendjen e tensionuar në veri, si pjesë e "planit të LDK-së për dalje nga kriza".