Janë bërë një muaj prej se u ka përfunduar mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe presidenti i vendit ende nuk ka bërë emërimin e anëtarëve të rinj.
Adnan Rrustemi, që ishte anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se kjo vonesë nga ana e presidentit ka bërë që edhe KQZ-ja të ketë vështirësi në funksionimin e saj.
“Është përgjegjësi kushtetuese e tij në këtë rast të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të pavarura. Bëhet fjalë për zvarritje të qëllimshme, pa asnjë arsye”, tha Rrustemi për Radio Kosovën.
Por, Ilir Gashi, nga PDK-ja, në një përgjigje të shkurtër për RK tha se të gjithë anëtarët kanë mandat deri në emërimin e anëtarëve të rinj. Deri atëherë, ai thotë se KQZ do t’i vazhdojë aktivitetet e saj të përditshme.
Valmir Ismaili, nga Demokracia Plus, për këtë vonesë, përveç presidentit, konsideron se ka edhe fajtorë të tjerë.
Edhe
Krasniqi: Presidenti ka shkelur Kushtetutën, 30 deputetë t'i drejtohen Kushtetueses
“Faji është edhe i subjekteve politike, të cilat siç duket ende kanë probleme të brendshme dhe nuk po mund të vijnë në përfundim se kë ta emërojnë anëtarë të KQZ-së”, tha Ismaili.
Edhe në përgjigjen me shkrim nga Zyra për Informim e Presidencës, bëhet e ditur se zvarritja ka ardhur pikërisht për shkak se ende nuk i kanë dërguar të gjitha grupet parlamentare emrat për anëtarë të KQZ-së. Radio Kosova merr vesh se janë pikërisht partitë e koalicionit qeverisës, ato që nuk i kanë dërguar ende emrat për anëtarë të KQZ-së.
Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes vlerëson se vonesa ndërlidhet edhe me përfaqësimin e ri politik që do ta ketë KQZ-ja në mandatin e ardhshëm.
“Bëhet fjalë edhe për reduktim të përfaqësimit të PDK-së dhe zgjerim të përfaqësimit të Lëvizjes Vetëvendosje, që po ndikon që presidenti ta zvarrisë procesin”, tha Rrustemi.
Sipas Kushtetutës, përbërja e KQZ-së duhet ta reflektojë rezultatin e zgjedhjeve, përkatësisht në bazë të fuqisë që kanë grupet parlamentare në Kuvend. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, Vetëvendosje duhet t’i ketë dy përfaqësues në KQZ, nga dy përfaqësues duhet t’i kenë LDK-ja dhe koalicioni PDK-AAK-Nisma, kurse pakicat t’i kenë 4 përfaqësues.
Nga ana tjetër, Albert Krasniqi i KDI-së, njohës i proceseve zgjedhore dhe monitorues i Kuvendit të Kosovës, më parë kishte thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën me vonesën në emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Krasniqi ka thënë se presidenti, në mesin kompetencave të përcaktuara me Kushtetutë, ka edhe: Garantimin e funksionimit kushtetuese të institucionave të përcaktaura me Kushtetutë; dhe Emërimin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Edhe
Krasniqi: Presidenti ka shkelur Kushtetutën, 30 deputetë t'i drejtohen Kushtetueses
“KQZ është institucion i pavarur kushtetuese. Kryetares dhe të gjithë anëtarëve të tjerë, tashmë iu ka përfunduar mandati. Presidenti ende nuk ka emëruar anëtarët e rinj. Duke qenë se asnjëri prej anëtarëve të KQZ-së nuk ka mandat, ky institucion nuk është funksional”, ka thënë Krasniqi, përcjell Koha.net.
“Kësisoj, duke mos ushtruar kompetencat e tij (të emërimit të Kryetarit të KQZ-së), Presidenti ka shkelur Kushtetutën pasi ka penguar funksionimin kushtetues të KQZ-së. Në këtë rast, do të duhej që të paktën tridhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkelje serioze të Kushtetutës nga ana e Presidentit”, ka thënë Krasniqi më tej.