Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prelec: Kurti nuk po i jep prioritet procesit të dialogut

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë se nuk pret marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, edhe për shkak se Kurti dëshiron të mos i japë prioritet këtij procesi.

Megjithatë, Prelec konsideron se e ka pritur që Kurti të jetë progresist apo lider nacionalist i krahut të majtë në pushtet. 

“Unë kam pritur që ai të jetë – siç edhe e konsideron veten deri diku – progresist apo lider nacionalist i krahut të majtë. Dhe, në këtë mënyrë ka qeverisur. Ai ndjek ideologjinë e nacionalizmit të krahut të majtë. Kam pritur nga ai të bëjë dy gjëra, të cilat i ka bërë në mënyrë të ndryshme. Kam pritur që ai të fokusohet në konsolidim të pushtetit brenda vendit, pra që të ketë kontroll mbi Qeverinë e Kosovës, ndonëse është sfiduese sepse ai vjen në një strukturë të dominuar plotësisht nga njerëzit që janë emëruar nga armiqtë e tij politikë. Sektori i shërbimeve civile është, po ashtu, i politizuar. E dimë se duhet të ishte i pavarur, por në realitet nuk është gjithmonë i pavarur. Kjo ndoshta mund të mos tingëllojë mirë, mirëpo duhet të ketë kontroll në mënyrë që të gjitha nivelet e pushtetit të mund të udhëhiqen në mënyrë efikase. Kam pritur që të punojë edhe në disa çështje të përditshmërisë së popullit të Kosovës. Vende të punës, edukim dhe gjëra tjera. Në këtë aspekt mendoj se nuk ka qenë shumë efikas dhe më pak vizionar sesa që kam shpresuar. Ka shumë gjëra që një shtet si Kosova mund të bëjë, sidomos sa i përket kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të sistemit shumë të dobët të edukimit. Kjo gjë do të mund ta shpërblente për disa hapa të guximshëm që nuk po i merr. Fusha tjetër është e politikës së jashtme, në të cilën ai ka treguar mungesë të interesimit në marrëdhënien me Serbinë. Diçka që më ka bërë përshtypje në Qeverinë e tij të parë ka qenë ajo se ai kurrë nuk ka artikuluar një strategji për dialogun me Serbinë. Krejt çfarë ka thënë kanë qenë kritika për qeveritë e kaluara. Pra, të stilit që “ne nuk duam të bëjmë atë që po bëjnë ata”. Mirëpo, nuk është deklaruar kurrë më shumë dhe mendoj se kjo është për shkak se as ai nuk e di si dëshiron të duket dialogu. Ai dëshiron të mos i japë prioritet dialogut”, ka thënë Prelec.

Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor është thënë se arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese me Serbinë është urgjente dhe shumë e rëndësishme në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë në rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, procesi i dialogut është bllokuar në pjesën më të mirë të vitit 2021, dhe Prelec beson se kjo gjë do të vazhdojë po njësoj.

“Jam i sigurt se nuk do të ketë përparim të madh në dialog. Ata do të takohen, mirëpo nuk do të pajtohen për asgjë të rëndësishme. Mund të pajtohen për disa çështje siç është ajo e personave të pagjetur. Evropianët mund të flasin për urgjencën e arritjes së marrëveshjes, mirëpo nuk do të thotë se diçka që është urgjente, është edhe e mundshme”, shtoi ai. /REL

Artikuj të ngjashëm