Arbëri

Prej nesër, Koha premium me pagesë

Nga e hëna Grupi Koha do të nisë me platformën premium me pagesë. Në kuadër të saj do të jenë 3 pako, pakoja bazike, pakoja premium dhe pakoja arka.

Lexuesit e KOHËS, ndër të tjera, në këto pako do të mund të gjejnë hulumtime, analiza, intervista, libër të përzgjedhur nga Koha, gjithologët e shumëçka tjetër.

Redaktori në Grupin Koha, Visar Loci, ka treguar detaje rreth këtyre pakove në të cilat mund të abonohen lexuesit.

“Pas gati 4 muajsh pa pagesë prej nesër lexuesit e Kohës do të jenë të detyruar të paguajnë për pakot të cilat do t’i ofrojë Koha. Do të jenë tri pako: pakoja bazike, pakoja premium dhe arka. Lexuesit të cilët për këta 4 muaj janë regjistruar dhe të cilët në ditët e para do të abonohen për një vit do të kenë zbritje të konsiderueshme deri në 45 për qind për paketat e caktuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, lexuesit e KOHËS do të kenë mundësi t’i lexojnë pa pagesë tekstet të cilat janë të përditshme, por jo ato ekskluzive dhe hulumtimet.

“Prej muajit mars, kur ka filluar pandemia, ‘Koha Ditore’ u është dhuruar falas lexuesve përmes platformës online dhe kjo natyrisht se ka ndikuar në të hyrat e Kohës. Pakot premium kanë qenë mundësia e vetme për të mbajtur këtë paanshmëri dhe kualitet me të cilin është identifikuar Koha ndër vite. Natyrisht, lexuesit do të kenë mundësi të lexojnë ende portalin Koha.net falas, do të jetë edhe pakoja bazike falas, ku do të mund të lexohen 3 artikuj”, ka shtuar ai.

Për pakon bazike, lexuesit mund të regjistrohen dhe të kenë qasje deri në 3 artikuj premium në muaj. Ndërkaq për dy pakot, premium dhe arka, abonimi mund të jetë mujor, vjetor dhe dyvjeçar.

Për më shumë detaje rreth çmimit për abonim në këto pako, lexuesit do të informohen të hënën.