Arbëri

Prefektët dhe nënprefektët e Tiranës 1912-2017 në një album

Tiranë, 13 prill - “Tirana, prefektët dhe nënprefektët e saj 1912-2017”, titullohet albumi i promovuar sot në ambientet e Prefekturës së Tiranës.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes , Mimi Kodheli, prefekti i qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi , si dhe akademikë e njerëz të njohur të artit.

Ky album me autorë Gazmend A. Baku dhe Kastriot Dervishi, u mundësua me iniciativën dhe mbështetjen e Prefektit të Tiranës, Sadi Vorpsi.

Në fjalën e tij, Prefekti Vorpsi theksoi se “në këtë album ju nuk do të njiheni vetëm me prefektët dhe nënprefektët e Tiranës, por edhe me momentet më kulmore të historisë së saj. Kemi të bëjmë me një botim , tek i cili ju mund të merrni një informacion të bollshëm për lashtësinë e trevës tonë, themelimin e qytetit., ngritjen e flamurit, Tiranën kryeqytet dhe krijimin e qarkut”.

Sipas tij , ky album dëshmon punën e apasionuar që kanë bërë autorët, për të sjellë në dritë aspekte të panjohura të historisë së Prefekturës.

“Unë si një pinjoll i një prej familjeve të vjetra të Tiranës, ndihem krenar që ju sot keni në dorë këtë album”, tha Vorpsi.

Gazmen A. Bakiu, një nga autorët e këtij albumi tha se “pjesë e këtij albumi është edhe historia e Tiranës, të gjitha këto të ilustruara edhe me fotografi, si për momentet e rëndësishme dhe ndërtimet domethënëse të historisë së kryeqytetit”.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u shpreh se ndjehej shumë e privilegjuar të ishte e pranishme në këtë aktivitet që përkon edhe me 105 – vjetorin e krijimit të institucionit të Prefektit të Tiranës.U promovua albumi-Tirana Prefektet dhe Nenprefektet e saj 1912-2017.

Ajo u ndal gjithashtu në kujtimet e saj për periudhën kur ka qenë në krye të Qarkut të Tiranës, si dhe theksoi si vlerë të shtuar faktin se në Tiranë nuk kanë jetuar tiranasit autoktonë, por qytetarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Më tej zonja Kodheli foli për rolin dhe kompetencat që duhet të ketë prefekti i Tiranës, i ndihmuar edhe nga institucionet e tjera qendrore.

“Prefekti duhet të jetë institucioni i kontrollit të përgjithshëm të ligjshmërisë dhe territorit që ka. Duke qenë syri dhe mendja e qeverisë qendrore ndaj pushtetit lokal, Prefekti duhet të ushtrojë plotësisht kompetenca reale. E për këtë, edhe ne, përfaqësuesit e pushtetit qendror, e këtu kam parasysh Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Brendshme, Shëndetësinë dhe Arsimin, apo dhe atë të Zhvillimit Urban, na duhet të mos mendojmë vetëm për dikasteret tona, por më gjerë. Prefekti duhet të jetë dhe dora e pushtetit qendror, me kompetenca të qarta. Prefekti nuk mundet vetëm të kërkojë dhe të kontrollojë, por dhe të veprojë e zbatojë”, theksoi Kodheli.

Në fund të fjalës së saj ministrja Kodheli përshëndeti të gjithë pasardhësit e atyre që kanë ushtruar detyrën e prefektit të Tiranës. Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli ka mbajtur detyrën e prefektit të Tiranës nga në periudhën 7 janar 2005, deri më 21 maj 2005.

U promovua albumi-Tirana Prefektet dhe Nenprefektet e saj 1912-2017 Foto Agim Dobi (1)Albumi “Tirana, prefektët dhe nënprefektët e saj 1912-2017”, ka 141 faqe dhe është i ndarë në këta kapituj: Lashtësia e trevës së Tiranës; Themelimi i qytetit të sotëm; Shpallja e mëvetësisë; Nënprefektura dhe nënprefektët; Kryeqyteti i përkohshëm dhe i përhershëm; Prefektura dhe Prefektët; Periudha 1944-1990; Rikthimi i Prefektëve dhe një tabelë përmbyllëse.

Në album përmenden emrat e prefektëve dhe nënprefektëve të Tiranës si Qamil Pepa, Izet Dibra, Selahudin Blloshmi, Rexhep Jella, Banush Hamdi Bego, Zenel Prodani, Ali Erebara, Qazim Mulleti, Riza Drini, Lutfi Shehu, Mahmut Çela, Refik Toptani, Musa Qazimi, Neki Ruli, Sulejman Kërçiku, Murat Podgorica, Rauf Fico, Fahri Frashëri, Halim Gostivari, Fuat Toptani, etj.