Arbëri

Prania policore në dhe përreth objekteve të komunave në veri mbetet në 50%

Sulmi në Banjskë ka bërë që numri i policëve të vendosur në dhe përreth objekteve komunale në veri të mos ndryshoj që nga gushti i vitit të shkuar. Aty prania policore është reduktuar në nivelin 50 për qind që prej dakordimit të arritur me BE-në në Bratislavë, korrikun e shkuar. Në EULEX thanë se vlerësimi i situatës së sigurisë në veri po bëhet çdo dy javë, e në Polici theksuan se numër të mjaftueshëm të policëve dhe rritja e pranisë do të bëhet varësisht nga situata

Gjashtë muaj që nga lëvizjet e fundit, ka ngelur në nivelin prej 50 për qind prania e policëve të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri.

Në kuadër të dakordimit me Bashkimin Evropian korrikun e shkuar, Kosova tërhoqi fillimisht 25 për qind të policëve, e një muaj më vonë edhe një 25 përqindësh tjetër.

Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, thotë se praninë policore e ka përcaktuar sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.

“Situata e Banjskës i ka ndryshuar shumë gjëra. Ne jemi duke qëndruar në ata numra që jemi tani, mirëpo varësisht nga situata që ne e vlerësojmë mund të rritet ose zvogëlohet numri. Kryesorja është që ky grup punues e analizon situatën ashtu siç mundet me parametrat më të mirë të sigurisë”, tha Elshani.

Në EULEX e kualifikuan pozitiv bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për vlerësimin e situatës në veri, tek konfirmuan se reduktimi i forcave policore ka mbetur në nivelin 50 për qind.

“Bashkëpunimi ka ecur në mënyrë pozitive. Palët kanë rënë dakord për metodologjinë e kryerjes së vlerësimit të përbashkët, duke përfshirë monitorimin e vazhdueshëm të evoluimit të situatës së sigurisë dhe përpunimin e raporteve të përbashkëta periodike. Që nga fillimi i procesit, Policia e Kosovës ka reduktuar praninë e saj në dhe rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës për 50% (25%+ 25%), në përputhje me hapin 1 dhe hapin 2 të marrëveshjes. EULEX-i po e monitoron situatën e sigurisë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe po vazhdon të kryejë rregullisht vlerësimet e përbashkëta, dy-javore, të sigurisë në komunat veriore me Policinë e Kosovës, dhe me pjesëmarrjen e KFOR-it, kur kërkohet”, u tha nga Zyra për Shtyp dhe Informim Publik e EULEX-it.

Teksa nuk e specifikoi numrin e policëve që janë në veri, Elshani tha se ai dallon varësisht nga komuna.

“Ka numër të mjaftueshëm të policëve. Ne kemi numër të mjaftueshëm të policëve edhe në komuna, edhe në stacionet policore dhe në mbarë veriun e vendit, kështu që nuk ka vend me u shqetësu diçka. Nëse ka nevojë na ndërhyjmë me numra tjetër, me personel tjetër me plane operative të ndryshme”, tha Elshani.

Rreth dy muaj pas tensioneve, shkaku i të cilave Kosovës iu vendosën masa ndëshkuese nga BE-ja, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi arriti pajtim me emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak, rreth hapave që duhen ndjekur në funksion të shtensionimit të situatës. Në qeveri nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS lidhur me atë që njihet si dakordimi i Bratislavës.