Arbëri

Posta e Kosovës dhe Banka për Biznes do të ndajnë fitimin për shpërndarje të ndihmave sociale

Ndonëse ishte proklamuar se shpërndarja e ndihmave sociale nga Posta e Kosovës, do t’i kushtonte buxhetit të vendit rreth 300 mijë euro më lirë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, Posta e Kosovës dhe Banka për Biznes për shpërndarje të ndihmave sociale, e cila ka filluar të zbatohet nga ky muaj, kryerja e këtij shërbimi nga Posta do t’i kushtojë buxhetit vetëm rreth 31mijë euro më lirë në vit, shkruan Koha Ditore.

Sipas marrëveshjes, e cila nuk është bërë publike, nga secili transaksion, Banka për Biznes do të përfitojë 70 cent dhe Posta e Kosovës 70 cent. Posta do të paguhet për shpërndarje të parave, ndërkohë që Banka për mirëmbajtje të llogarive bankare. Gjithsej për një transaksion nga buxheti i shtetit do të paguhen 1.40 euro.

Deri më tani, kur ministria ka pasur marrëveshje vetëm më Bankën për Biznes, për një transaksion janë paguar 1.50 euro. Shpërndarja e këtyre ndihmave për 25 mijë e 878 familje, sa ka qenë numri i përfituesve në gusht të këtij viti, i ka kushtuar buxhetit 38 mijë e 817 euro për një muaj ose 465 mijë e 804 euro në vit. Ndërkohë, që në bazë të marrëveshjes aktuale për këtë numër të përfituesve do të paguhen 36 mijë e 229 euro për një muaj, gjegjësisht 434 mijë e 748 në vit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.