Rreth 200 metra larg urës së Ibrit, shumë qytetarë serbë u mblodhën të dielën në pritje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Banorëve të Mitrovicës së Veriut, në mesin e tyre edhe punëtorë serbë të “Trepçës”, Vuçiqi u tha se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por se krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe paqësore, raporton KTV.
“Ju them se ata që e thonë se unë duhet ta pranoj pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër. Kur ju thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po jua thonë të vërtetën. Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat tuaja dhe t’jua mundësoj të gjitha drejtat që ju takojnë në botën e qytetëruar”, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur për dialogun në Bruksel, Vuçiqi tha se Kosova dhe Serbia nuk janë as afër arritjes së një marrëveshjeje.
“A kemi ndonjë projekt-zgjidhje në Bruksel? Jo, ne nuk jemi as afër saj. Por, për herë të parë më duket se ne e dimë mirë se duhet të flasim dhe së paku të përpiqemi që marrëdhëniet tona të funksionojnë. Thaçi dhe Haradinaj nuk më duan mua dhe as unë nuk i dua ata, por kur bëhet fjale për shtetin tim, unë mund të takohem me Thaçin dhe Mogherinin vetëm për të mirën e vendit tonë”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb të dielën e ka vizituar edhe lagjen “Lugina e Diellit”, projekt ky i Qeverisë serbe për ndërtimin e rreth 300 shtëpive për banorët serbë, e më pas ka vënë kurora me lule te vendi ku është vrarë Oliver Ivanoviqi.
Vuçiqi është larguar nga Kosova, përmes pikës kufitare të Jarinjës, derisa të shtunën ka vizituar liqenin e Ujmanit, Leshakun dhe Leposaviqin.
Por, ai nuk është lejuar të vizitonte fshatin Banjë në Skenderaj, për çka ka kritikuar autoritetet kosovare.
Ai u premtoi serbëve se herën tjetër kur të vijë në Kosovë, do të shkojë edhe në Banjë të Skenderajt.