Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se liria e të shprehurit dhe mediat e lira e të pavarura janë shtylla të demokracisë, që garantojnë transparencën dhe llogaridhënien.
Ai thotë se për ta kryer detyrën e tyre, gazetarët duhet të punojnë të lirë, pa presion dhe pa kërcënime.
“Por, liria vjen edhe me përgjegjësinë për fjalën e thënë. Fjala ka veçanërisht peshë kur thuhet nga gazetarët dhe njerëzit e mediave. Sot teknologjia ka shtuar mundësitë për komunikim. Interneti dhe veçanërisht mediat sociale janë bërë medium i rëndësishëm për përhapjen e lajmeve dhe informatave. Megjithatë, kjo ka shtuar edhe mundësitë për abuzime me lirinë e të shprehurit, duke keqinformuar, manipuluar dhe mashtruar publikun. Prandaj, sot duhet edhe më shumë të angazhohemi që t'i mbrojmë, në nivel global, lirinë e të shprehur dhe shtypit nga presionet e kërcënimet, por edhe nga abuzimet që bëhen në emër të tyre”, ka thënë ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se shtypi i lirë është thelbësor në çdo demokraci për t’i ekspozuar padrejtësitë dhe për t’i mbajtur udhëheqësit shtetëror përgjegjës.
“Një shtyp që tregon të vërtetën bazuar në fakte dhe prova i mban qytetarët mirë të informuar”, ka thënë ai.
Ndërkaq kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se mediat e lira dhe të pavarura janë themeli i demokracisë e pluralizmit, kurse gazetarët dhe punëtorët e mediave, janë ata që konkretisht e avancojnë demokracinë e brendshme dhe e bëjnë pjesë të demokracisë evropiane dhe botërore.
Edhe
Osmani: Liria e medias, shtyllë e një demokracie të lulëzuar
“Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, liria dhe pavarësia e mediave në Kosovë po ballafaqohet me një kërcënim tjetër; nga lajmet e rreme dhe sulmet kibernetike por edhe nga paqëndrueshmëria financiare, si pasojë e pandemisë”, ka shkruar ai.
Mustafa ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja do të trajtojë dhe adresojë këtë ndërmarrësi të dëmshme për të vërtetën dhe rrënuese për mediat e pavarura.
“Të gjithë ne e kemi për detyrë të përkrahim dhe të ndihmojmë mediat e lira. Jam i bindur se mbështetja e mediave do të jenë pjesë e pakos për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë së re të Kosovës, kurse organeve të drejtësisë dhe agjencive tjera do t’iu krijohen të gjitha kushtet që të vihen në mbrojtje të mediave dhe të fjalës së lirë”, thuhet në njoftim.