Arbëri

Policia e quajti ‘plagosje mes të rinjsh’, por ata ishin zyrtarë të lartë të Valës

Ahengu i fundvitit është shndërruar në një betejë përleshjesh ndërmjet zyrtarëve të lartë të Valës.

E gjitha kishte nisur me zënkë fjalësh e gjuajtje me shishe në njërin nga lokalet e Prishtinës, për të vazhduar tutje jashtë edhe me të shtëna armësh, raporton KTV.

Nga gjuajtjet me armë, mbeti i plagosur Shaban Ramaj, punëtor i Vala-s.

Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, por pa dhënë detaje e duke tentuar të fshehë informata e ka quajtur vetëm si ‘plagosje mes të rinjsh’.

Siç mëson televizioni, zënka ka nisur ndërmjet Ramajt dhe Arsim Ramadanit derisa ishin në darkën e fund-vitit të Telekomit, e cila në fakt ishte vetëm për menaxhmentin e lartë të ndërmarrjes.

Por, në përleshje janë përfshirë edhe persona të tjerë.

“Dje në rrugën ‘Enver Zymberi’ në Prishtinë, rreth orës 23:40 në një lokal ka ndodhur një rast plagosjeje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri te plagosja ka ardhur pas një fjalosjeje mes disa të rinjve”, thuhet në raportin e Policisë, ku shtohet se personi është vetëplagosur.

Që të dy këta persona, sipas informacioneve që ka siguruar KTV-ja, janë punësuar gjatë valës së punësimeve pas ardhjes në pushtet të PAN-it.

Ramadani ishte punësuar si menaxher i përgjithshëm për shërbimin Operativ në njësinë e burimeve njerëzore, kurse Shaban Ramaj ishte punësuar si montator.
 

Ndërsa, tash të dy punojnë në Departamentin e Logjistikës dhe marrin paga marramendëse, ajo arrin në 2 mijë e 250 euro në muaj dhe hyn në mesin e 10 personave më të paguar të kësaj ndërmarrjeje publike.

Telekomi vetëm ka konfirmuar rastin, por nuk ka dhënë detaje të mëtejme duke e konsideruar zënkën e tyre si private dhe që nuk lidhet me veprimtarinë e Valës.

Ramaj në faqen e tij në Facebook ka disa fotografi me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, kurse Ramadani ishte i dënuar më parë në rastin “Kiçina”, por u fal me vendim të presidentit Hashim Thaçi.