Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, tha se policia në atë pjesë të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese sepse ai vendim është “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.
Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.
“Sot nga drejtoria e përgjithshme e policisë në Prishtinë në rajonin tonë janë dërguar patrulla të trafikut për t’iu bërë presion institucioneve tona për të zbatuar vendimin që ka të bëjë me qortimin”, tha ai.
Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale, do të marrin fleta qortuese. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.
Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.
Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.
Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.
Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri, që kanë pasur në cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.
Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.
Pak para se të skadonte afati për riregjistrim më 31 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi për planin e saj me tri faza për targat.