Qeveritë lokale të Podujevës assesi nuk po mund ta funksionalizojnë Tregun e Gjelbër.
Ani pse u përurua më 2017, ky treg vazhdon të mbetet i zbrazët, ndërkohë që tregtarët e ekspozojnë mallin e tyre nëpër trotuare.
Këtë javë Drejtoria për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik u ka bërë thirrje tregtarëve që të aplikojnë për shfrytëzimin e tezgave të këtij tregu pa pagesë.
“Duke pasur parasysh që kemi një numër goxha të madh të shitësve ambulantë të cilët prodhimet buqjësore dhe produktet e tyre po i shesin përgjatë rrugëve të qytetit, ata po e vështirësojnë edhe qarkullimin e automjeteve, njëkohësisht po paraqesin probleme, sepse janë të lidhur direkt me diellin dhe kushtet higjienike dhe sanitare nuk janë në nivelin e duhur. Andaj mendojmë që është e nevojshme dhe e përshtatshme që tregu i gjelbër, i cili është i destinuar për atë qëllim të funksionalizohet”, ka thënë Vigan Salihu, drejtor për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik.
Megjithëse vitin e kaluar nuk kishte funksionuar një iniciatvë e tillë, drejtori Vigan Salihu, shpreson të gjejnë mirëkuptim te shitësit që ata të vendosen në treg.
Ndërkohë, disa shitës ambulantë prapa kamerës thanë se përderisa vazhdojnë të shiten pemët e perimet në lokalet afër objektit komunal, nuk do të funksionalizohet asnjëherë ky treg.
Shtuan se ndihen të tradhtuar nga ish-pushteti që, sipas tyre, u kishte premtuar se të gjithë tregtarët do të zhvendoseshin në tregun e ri.
Skeptik se mund të funksionojë thirrja e Komunës është edhe drejtori ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka.
“Drejtoria për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Podujevës në këtë rast po i bie një rruge të njëjtë, ndërsa në anën tjetër, po pret një rezultat të ndryshëm. Ne mendojmë që paraprakisht, para se ta hapim këtë thirrje Drejtoria ishte dashtë t’i mbledhë edhe ekspertët e këtij lëmi, por edhe tregtarët që ta shohin se pse nuk ka funksionuar deri tash funksionalizimi i tregut në atë pjesë. Pra, pse tregtarët nuk po dëshirojnë të vendosen në atë pjesë’, tha Zeka.
Sipas tij, rekomandimet që do të dilnin nga ky grup do të dihej nëse vendi ku tash është tregu i gjelbër është adekuat për tregtarët, apo duhet që të zhvendoset diku tjetër.
Drejtori Salihu ka thënë se nëse shitësit nuk vendosen në Tregun e Gjelbër, atëherë me këtë çështje do të merret Drejtoria e Inspektoratit.