Kuvendarët e Podujevës, pushtet e opozitë janë bërë bashkë për t’i dhënë dritën jeshile vënies në diskutim publik të Hartës Zonale 2020-2028. Drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, ka thënë se është i njëjti dokument që e kishin vënë në diskutim publik në muajin korrik, por që niveli qendror ua kishte kthyer mbrapsht për shkak të mos ndjekjes së të gjitha procedurave.
“Pas refuzimit të Ministrisë që të jep pëlqim për vendimin e kaluar për vendosjen në shqyrtim publik të Hartës Zonale, ne si Kuvend Komunal jemi detyruar që prapë të njëjtin dokument ta nxjerrim një vendim për vendosjen në shqyrtim publik, gjithmonë në koordinim me Ministrinë përkatëse. Prandaj ju lus që si herën e kaluar, edhe tash ta votoni këtë dokument tepër të rëndësishëm për komunën tonë”, ka thënë Bujar Hasani në mbledhjen e Kuvendit Komunal të së hënës.
Në anën tjetër, shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti, ka kërkuar nga ekzekutivi që t’i ndjekin procedurat ligjore, në mënyrë që të kthehet sërish ky dokument.
“Pa dyshim që Harta Zonale është dokumenti më i rëndësishëm strategjik që nesër do të miratohet nga Kuvendi i ardhshëm komunal. Por ajo që është e rëndësishme sot drejtor, a janë të gatshme dokumentacionet të miratuar nga Ministria e linjës. E bëj këtë pyetje për shkak se dokumenti do të shkojë për vlefshmërinë e aktit nesër”, është shprehur Hasan Ajeti.
Sipas tij, në rast se ndodhin telashe të ngjashme, përgjegjësinë duhet ta bart ekzekutivi.
“Ne të gjithë këtu jemi në dijeni se këto telashe e kanë përcjell në dy muajt e fundit ekzekutivin e udhëhequr nga Bulliqi, i cili në takim me shefat e grupeve, dorën në zemër ishte shumë konfuz, me siguri sepse nuk e njeh materien, se është i fushës gjeografike dhe ka pasur telashe. Po, është përgjegjësi e këtij ekzekutivi, konkretisht e juaja që ky propozim-vendim të përgatitet në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe nesër të jetë në shërbim për të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës”.
Shefi i GK të LDK-së ka thënë se e kanë mbështetur edhe më përpara në parim këtë dokument dhe se e mbështesin edhe sot që të vihet në shqyrtim publik Harta Zonale.
“Por duhet ta kuptoni një gjë, shikojeni dokumentacionin, bazën ligjore. Nëse nuk është mirë, atëherë përgjegjësinë e merr Bulliqi. Në këtë pikë duhet me i tejkalua bindjet politike”, ka thënë ai.
Mbështetje propozim-vendimit për vënie në diskutim publik i kanë dhënë edhe këshilltarët e VV-së.
“Grupi i Vetëvendosjes e mbështet vënien në shqyrtim publik të Hartës Zonale në afatet e parapara me ligj prej 30 ditësh nga hyrja në fuqi dhe me plotësim-ndryshimet e hartuara nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Kjo, gjithmonë konform vendimit të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Podujevës më 30 korrik të këtij viti”, ka thënë shefi i GK të VV-së, Florent Hasani.
Edhe shefi i GK të PDK-së, Fatmir Rudari, ka thënë se duke e parë rëndësinë e Hartës zZonale për komunën e Podujevës edhe ata si grup e mbështesin që kjo të dalë në diskutim publik.
Vënia në diskutim publik e Hartës Zonale 2020-2028 është miratuar njëzëri nga këshilltarët komunalë. Kjo është hera e tretë, pasi së pari ky dokument i kishte kaluar të gjitha procedurat në ish-qeverisjen komunale. Ndërkohë, pa e miratuar këtë dokument, pushteti i tanishëm në muajin korrik, pas disa plotësim-ndryshimeve e kishte miratuar vendimin që sërish të dalë në diskutim publik. Por, niveli qendror e kishte kthyer mbrapsht këtë vendim, pasi kishte konstatuar se nuk ishin përfillur procedurat ligjore. Dhe në muajin korrik e kishin vënë për miratim, por që nuk kishte kaluar.