Arbëri

“Po të mos ishin mediat, vetëdija e qytetarëve do të ishte më e ulët”

Po të mos ishin mediat vetëdija e qytetarëve do të ishte më e ulët, ka thënë Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave në Kosovë në kuadër të panelit “Ballafaqimi me seksizmin dhe gjuhën denigruese në media”, organizuar nga “Kosovo 2.0” në ditët e Lirisë së Shtypit. Sipas saj, mediat kanë qenë zëri i viktimave të dhunës dhe përmes raportimit është bërë thirrje për luftim më me seriozitet të dhunës ndaj grave.

“Shpesh mediat jo vetëm që kanë informuar, por kanë qenë zëri i viktimave. Ndoshta jo të gjitha, por ka media që bëjnë hulumtime shumë të mira që e lehtësojnë edhe qasjen e organizatës sonë. Ka media që na dërgojnë pyetje shumë sipërfaqësore, por ka edhe media me të cilat kemi një bashkëpunim shumë të mirë ku përmes artikujve më të gjatë është trajtuar dhuna dhe fenomeni dhe ka qenë një thirrje te institucionet për luftimin me më seriozitet dhunës ndaj grave”, ka thënë ajo. “E vetëm kështu mundemi me ardhë tek ndryshimet e ngadalshme në shoqëri. Pasi trajtimi i keq ka çuar deri te femicidi. Mos me qenë mediat edhe vetëdija e qytetarëve do të ishte më e ulët. Ka gazetarë që me të vërtetë i trajtojnë këto tema dhe jo vetëm si lajme ditore. Prandaj e kam këtë optimizëm që ky trajtim ka për të shkuar edhe tutje. Duke hulumtuar më thellë ju ndihmojmë viktimave të çfarëdo lloj dhune në bazë gjinore. Për masat që janë ndërmarrë, për procesin në gjykatë”.

Ndërkaq Leonita Molliqaj nga organizata QIKA ka thënë se pavarësisht rritjes së raportimit për dhunën në familje, ka mungesë të trajtimit të shkaqeve për të cilat ndodh dhuna.

“Zbulimi i dështimit të zinxhirit institucional për trajtimin e rasteve, për herë të parë kanë sjell në diskursin publik për përdhunimin. Këtë e kanë bë mediat që e kanë faktuar me dokumente se si është trajtuar rasti kur e kanë raportuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vërehet rritje e shifrave dhe kjo ka rëndësi. Është ankuar se ka edhe raportime me qëllim për sensacion e me tituj bombastikë për të marrë klikime si dhe për fotografitë ilustruese që përdoren në artikuj.

Në kuadër të panelit “Thyerja e heshtjes për temat e ndjeshme dhe të margjinalizuara”, Dafina Haliti nga Kosov 2.0 ka thënë se në 10 vitet e fundit ka pasur raportim më të mirë dhe më korrekt për minoritetet etnike, personat LGBT, gratë dhe viktimat e dhunës.

Megjithatë, ajo ka thënë se ka terme që nuk duken të fajshme, por që janë të tilla. Sipas saj, duhet të mbahet një analizë me aktivistët e shoqërisë civile dhe vetë pjesëtarët e grupeve për të zgjedhur termet për një grup të caktuar.

“Termi margjinalizues? Kush është grupi dominues. Jemi duke mirëmbajt sistemin e shtypjes duke përdorur ketë term. Vetë fjala minoritet e pakica etnike... a mund t’i referohemi një grupi si minoritet?” ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në Kosovë vazhdon të ketë tendencë që për shembull, martesat e hershme t’i ndërlidhin me komunitetin dhe gjendjen ekonomike të tyre.

Fitim Gashi, reporter i lartë në Grupin KOHA, ka thënë se gazetarët duhet të kenë dyfish kujdes për qasjen dhe termat e përdorur në temat e ndjeshme.

Ai ka thënë se ka shumë raste kur përdoren terma pezhorativë e madje edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë. Sipas tij, kjo ndikon edhe në diskurs nxitës.

“Kur trajtohet gjendja e komunitetit të caktuar nuk duhet të mbetet vetëm në atë nivel, por problemi është shumë më i thellë, dhe duhet të pasqyrohet gjendja reale e tyre. Nese trajtohet aspekti rrethanor shohim shumë probleme e mungesë të kushteve bazike. Shume prej të rinjve nuk kanë mundur ta ndjekin mësimin online për shkak të mungesës së pajisjeve. Ne si media duhet të kemi kujdes dhe të mos lejojmë një trajtim të tillë dhe përdorimin e termeve që mund të jenë fyese ndaj tyre”, ka thënë ai duke treguar për trajtimin e problemeve me të cilat përballet një komunitet joshumicë në Prishtinë.

“Është zotësia e gazetarit për ta transmetuar historinë e tyre, por gazetari rrëfimin duhet ta marrë nga terreni nga gjendja e tyre dhe të kërkohet llogaridhënia nga institucionet e Kosovës për masat që ndërmarrin në këtë drejtim. S’ka nevojë që të bëhemi e të tingëllojmë patetikë. S’është ai roli i gazetarit, por transmetimi i asaj çka sheh e dëgjon. Duhet të bashkëndjejë atë që e përjetojnë, por kjo s’duhet të shkojë më tej, duhet të trajtohet në mënyrë të duhur e me kujdes”, ka thënë ai.