Arbëri

Plisi në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës

Pjesë e Komisionit Kushtetues të Kosovës 14 vjet më parë, ndër të tjerë ishte edhe profesori Arsim Bajrami, nënshkrimi i të cilit figuron në faqen e parë të saj.

Dy muaj pas shpalljes se pavarësisë, më 9 prill 2008, miratohet, dhe më 15 qershor të po atij viti hyn në fuqi akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës.

“Kjo ka qenë kushtetuta e katërt që i kam shkruar, sepse në të gjitha pas viteve ‘90 kam qenë anëtar apo autor. Ndihem shumë krenar. Krahas nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë dhe një nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës, mendoj se misioni im për shtetndërtim është përmbushur mu aty”, ka thënë Bajrami.

Kushtetuta është një kontratë shoqërore, e nënshkruar midis qytetarit dhe qeveritarëve të tij.

Parimi bazë i Kushtetutës është se duhet të ekzistojnë tri ndarje themelore brenda qeverisjes: pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor.

Kjo “ndarje e pushteteve” ka origjinë që në shkrimet e filozofit grek Aristotel, dhe ka mbetur një koncept thelbësor në erën moderne të konstitucionalizmit.

Ndarja e pushteteve konsiderohet si themeli bazë mbi të cilin ndërtohet një demokraci kushtetuese.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është vështirë e ndryshueshme, tregon Bajrami.

E ndryshimet të cilat i ka pësuar për 14 vjet kanë qenë të nevojshme për shtetndërtim.

Pasi miratohet, Kushtetuta është një plan për një shoqëri demokratike, mirëpo ndërtimi përfundimtar i kësaj shoqërie bazohet në pjesëmarrjen e vazhdueshme dhe aktive të qytetarëve.

Për të parë zbatueshmërinë, Kosova ka edhe Gjykatën Kushtetuese e cila ka vërtetuar disa herë shkelje të Kushtetutës madje edhe nga pozitat më të larta udhëheqëse, sikurse ajo e presidentit.