Mbledhja e sotme e Kuvendit të Komunës së Podujevës ka nisur me përplasje ndërmjet LDK-së e LVV-së.
Shkak është bërë Plani i punës së KK-së, për të cilin partia opozitare (LDK) ka kërkuar që të shtyhet për një seancë tjetër.
Fillimisht këshilltari i kësaj partie, Naim Çunaku, ka kërkuar nga kryesuesi, Hilmi Hoxha, që ta lexojë rendin e ditës para se ta hedhë në votim. Ndërsa, Arian Topanica (LDK), ka thënë se për pikën për Planin e punës së Kuvendit nuk kanë marrë material dhe për këtë ka kërkuar që kjo pikë të shythet për një mbledhje tjetër. Njësoj ka kërkuar edhe Naim Çunaku.
“Edhe në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) jemi pajtuar vetëm për propozimvendimin për ndarjen e mjeteve financiare Ndërmarrjes Publike – Kompania regjionale e Mbeturinave - KRM ‘Pastrimi’, kurse për dy pikat tjera kemi qenë kundër”, ka thënë Çunaku.
Sipas tij, edhe materiali për këtë pikë nuk u është dërguar me kohë këshilltarëve.
Ndërsa, Fitim Muçolli nga LVV-ja ka thënë se gjatë hartimit të këtij Plani ka qenë i pranishëm edhe anëtari i LDK-së dhe se materiali u është dëruar të gjithëve me e-mail.
Por, Topanica ka thënë se ai diskutim ka qenë vetëm “fjalë goje”.
“Janë të papraueshme që në dy ditë të vikendit me ua dërgu metarialin edhe pa pajtim të grupit tonë. Nuk ka asnjë urgjencë me miratu këtë plan sot”.
Ndërkohë, kryesuesi Hilmi Hoxha, ka theksuar se miratimi i Planit të punës është me urgjencë, pasi ai bëhet për 12 muaj të vitit, ndërsa tashmë kanë kaluar dy muaj dhe Kuvendi ende nuk e ka të miratuar.
Propozimi i LDK-së që të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës nuk ka kaluar. Megjithatë, rendi i ditës i propozuar për këtë seancë nuk ka kaluar i tëri, pasi fillimisht shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bashkim Syla, kishte kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës propozimvendimi për pezullimin e disa dispozitave të Rregullores për orarin e punës së bizneseve në Podujevë.
Ai ka thënës e në koordinim me drejtorinë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik janë dakodruar që në një afat sa më të shpejtë të sillet në Kuvend plotësim-ndryshimi i kësaj rregulloreje.
Në këtë seancë, është miratuar lista e veçantë e pronave të paluajtshme të Komunës për vitin 2022, e cila ka gjetur mbështetje te të gjitha partitë. Po ashtu janë votuar nga dy anëtarë të Kuvendit për ngritjen e komisionit komunal të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike - Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” sh.a. dhe Ndërmarrjes Publike - Stacioni i Autobusëve Podujevë.
LDK-ja edhe pse grupi me më së shumti këshilltarë komunalë nuk ka arritur që të përfaqësohet në këto dy komisione. Ky grup ka kërkuar pauzë 10-minutëshe, gjë që është përkrahur edhe nga partitë tjera të përfaqësuara në Kuvend. Në fillim të seancës është bërë edhe zëvendësimi i disa këshilltarëve komunalë nga radhët e LVV-së, pasi pesë nga ta tashmë kanë kaluar si drejtorë të ekzekutivit.
Në vend të Avni Fetahut, Bahri Selimit, Pajtim Balajt, Vigan Salihut (drejtorë) dhe Fatri Zhitisë (zëdhënës) betimin si këshilltarë të rinj e kanë dhënë Ragip Fetahu, Haki Rudari, Xhevedet Maloku, Bahri Blakçori dhe Ardi Hasani.