Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Plakja e pensionistëve me politikën

Pleqve po u mungojnë hapësirat e objektet publike për të kaluar kohën. Ata po shtrëngohen t’i plakin ditët nëpër parqe, rrugë e ndonjë çajtore, si puna e pensionistëve të Hanit të Elezit. Ata përditë e shtrojnë muhabetin të shoqëruar me çaj. E temat janë të llojllojshme.

Shkaku i shoqërisë, Shemsi Dogani merr shpesh rrugë me autobus nga Kaçaniku, ku jeton, drejt Hanit të Elezit. Këtu i takon shokët me të cilët punoi 24 vjet në fabrikën e privatizuar të stiroporit. Tani merr pension invalidor prej 75 eurosh. Kosova u ndan nga 90 euro në muaj atyre që mbushin 65 vjeç dhe nuk kanë përvojë të dokumentuar pune.

Shqetësime të ngjashme ka edhe Isuf Muhasheri, 93-vjeçari nga Kaçaniku. Ai jeton fikall vetëm në katin e gjashtë të një ndërtese kolektive të banimit. Kur nuk punon ashensori, shtrëngohet të ngjitet e lëshohet shkallëve.

Por këta pleq, më të lehtë e kanë gjatë muajve të verës, kur mund të zënë ndonjë hije. Në Kaçanik përballen me kundërmimin e padurueshëm të Lumit Nerodime, ku derdhen ujërat e zeza të Ferizajt, Kaçanikut dhe fshatrave të dy komunave.

Klubet e hapësirat e përbashkëta për pensionistët mungojnë edhe në komunën kufitare të Hanit të Elezit. Për çdo takim duhet të shpenzojnë prej pensioneve të ulëta.

Edhe Plakja me premtimet e politikanëve Arbëri Plakja me premtimet e politikanëve

Ali Rexha mban me familjen treanëtarëshe me 75 eurot e pensionit invalidor. Ka probleme me zemër. Me shitjen e manave e thanave mundohet t’ia lehtësojë të bijës shkollimin e mesëm në Kaçanik. Rexhës i ka kushtuar një euro e gjysmë transporti nga Ivaja e Kaçanikut deri në Han të Elezit.

Rexhës nuk i pëlqen fort të flasë për politikë. Por diskutimet për politikën ziejnë në çajtoren ku Dogani me shokë kalojnë kohën.

Dogani mendon se vetëm ardhja e udhëheqësve meritorë mund ta ndryshojë gjendjen e tyre.

Ndryshe nga Dogani në Han të Elezit, Xhemajl Gashi në Suharekë është zhgënjyer me pushtetin lokal e qendror. Gashi merr pension prej 185 eurosh për 24 vjet përvoje pune në ndërmarrjen “Ballkani”, tani e privatizuar. Thotë se ende nuk u është dhënë pjesa nga përqindja e privatizimit që u ndahet punëtorëve.

Edhe Pensionistët kërkojnë dinjitet, zyrtarët e shtetit s’i përgjigjen ftesës Arbëri Pensionistët kërkojnë dinjitet, zyrtarët e shtetit s’i përgjigjen ftesës

“Këto parti politike veç tu na rrejtë, tu na shantazhu, premtime japin, punë s’kryejnë”, thotë ai. “Fol sa dush se kejt në vesh t’shurdhët. Xhepat e vet i kanë mushë, kacat e veta i kanë mushë, kejt po, a që me thanë për popull, asnjë trohë s’kanë punu”.

Ndryshimet e mëdha shoqërore kanë ndikuar me të madhe në mesin e kategorive të ndjeshme shoqërore. Pleqtë thonë se po e përjetojnë më së rëndi.