Arbëri

Pezullimi i nxënësve problematikë vlerësohet se i nxit ta braktisin shkollën

Legjislacioni i cili parasheh shqiptimin e masave disiplinore ndaj nxënësve që tregojnë sjellje jo të mira në shkollë, është vlerësuar joefektiv dhe i dëmshëm. Sipas psikologëve dhe njohësve të arsimit, pezullimi i nxënësve nga shkolla i nxit ata që ta braktisin përgjithmonë sistemin arsimor

Shtatë deri në dhjetë nxënës pezullohen çdo muaj nga shkolla teknike “28 Nëntori”, në Prishtinë.

Këtë masë, ndaj nxënësve problematikë e shqiptojnë edhe institucionet e tjera arsimore.

Pezullimi, i cili zgjat nga 3 ditë deri në 3 muaj, është masë e përcaktuar në udhëzimin administrativ për kodin e mirësjelljes dhe për masat disiplinore në shkollat e mesme të larta. Po kështu edhe në rregulloren për organizimin e punës në shkolla.

Masa shqiptohet kur nxënësi ka sjellje jo të mira, shkakton incidente e ka mbi 32 mungesa të paarsyeshme në orë mësimore.

Drejtoresha e shkollës “28 Nëntori”, Zyrafete Kafexholli, ka thënë se përmes masave pritet që nxënësit të reflektojnë vetvetiu mbi sjelljet e tyre.

“Gjatë asaj kohe ai është në një kohë kur duhet të reflektojë vetë për arsye se këta janë fëmijë të rritur dhe mendoj që duhet vetë të reflektojnë pas gabimit që kanë bërë, mungesave të paarsyeshme që ndodhin, pasi shpeshherë kanë ardhur në shkollë, por nuk kanë hyrë në orë mësimore. Pastaj ajo masë që është marrë ndaj tyre e ka dhënë efektin e vet”, ka thënë Kafexholli.

Por, sanksionin që shkëput nxënësit nga shkolla nuk e rekomandojnë ekspertët e shëndetit mendor.

Psikologja në shkollën fillore “Asim Vokshi”, Tringa Visoka, ka thënë se nxënësit me sjellje jo të mira duhet të jenë nën përkujdesjen e institucionit arsimor. Sipas saj, ata që mungojnë në shkollë apo kanë sjellje joagresive duhet të mbikëqyren nga psikologët.

“Unë më shumë kisha propozuar që të ndalen masat e tilla dhe duhet të përdoren masa të tjera, si dërgimi i fëmijëve te psikologu, për të folur me kujdestaren e klasës, me drejtorin, dhe jo të shkojmë te suspendimi, sepse ai ndihet edhe më shumë i nënvlerësuar, edhe më shumë ftohet prej procesit mësimor”, ka thënë Visoka. “Nëse i largojmë nga shkolla ata e kanë më të vështirë të vetëdijësohen e mund të bëhen edhe më agresivë e të shkaktojnë probleme në shoqëri”.

Kritika për legjislacionin ka shprehur edhe drejtori i organizatës “Teach for Kosova”, Egzon Gashi. Sipas tij, largimi i nxënësve nga shkolla për një periudhë të shkurtër sjell probleme afatgjate.

“Nuk kam informata të sakta, por besoj që në këto raste kur largohet një fëmijë për një kohë të gjatë, gjasat e braktisjes rriten shumë. Legjislacioni në këtë rast thjesht nuk është i logjikshëm, nuk i ndjek praktikat më të mira për t’u marrë me këta fëmijë”, ka thënë Gashi.

Ai ka vlerësuar se çdo shkollë duhet të ketë psikologë që t’iu dalin në ndihmë këtyre nxënësve.

“Nuk është problemi te nxënësit e as te mësimdhënësit, por është një problem sistematik që nuk kemi psikologë të shkollës që mund të merren me ta”, ka shtuar Gashi.

Në Ministrinë e Arsimit thanë se nuk kanë informata se sa është numri i nxënësve që janë pezulluar në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor. Gjithashtu nuk treguan nëse kanë analizuar efektet që sjell legjislacioni, i cili parasheh aplikimin e masave ndaj nxënësve.