Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Petkoviq në takim me Peachin ankohet në palën kosovare: Çdo ditë po krijon tensione

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është takuar sot me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Në takim Petkoviq thuhet se ka biseduar për dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa është ankuar se pala kosovare me lëvizjet e saj po krijon tensione në Kosovë. Ai ka cekur pamundësinë e qytetarëve serbë të Kosovës që të votojnë në referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës. E po ashtu ka thënë se nëse nuk lejohet votimi edhe në zgjedhjet e Serbisë në prill, atëherë do të ishte shkelje e të drejtave themelore.

“Petkoviq theksoi se Prishtina me lëvizjet e saj çdo ditë po krijon tensione në Kosovë e M. dhe po ashtu vuri në dukje pamundësinë e votimit të komunitetit serbë në referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese, por edhe paralajmërimet nga zyrtarët politikë në Prishtinë se serbët në provincë do ta kenë të ndaluar të votojnë në zgjedhjet e Republikës së Serbisë, e që paraqet një kërcënim të madh të mundshme të shkeljeve të drejtave themelore njerëzore”, thuhet në komunikatën e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë.

Sa i përket dialogut Petkoviq është ankuar për mosimplementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Peach në anën tjetër ka thënë se do ta mbështesë dialogun dhe arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme.

“Duke pranuar qëndrimet tona të ndryshme për pavarësinë e Kosovës, Sir Stuart Peach përshkroi rolin e tij të ri si i dërguar britanik në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se do të punojë ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për ta mbështetur dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe një zgjidhje të qëndrueshme, për të mirën e gjithë njerëzve në rajon”, thuhet në komunikatë.