Studentët para Ministrisë së Arsimit: S’duam dhunë, por të dëgjohemi
Në ditën e pestë të protestave kundër qeverisë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë marshuar nga fakulteti drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Me thirrjet “Ju erdhi fundi” dhe “Revolucion”, studentët janë ndalur përpara ministrisë, duke shprehur pakënaqësinë për situatën në vend dhe kushtet në të cilat zhvillojnë studimet.
Efektive të shumtë të Policisë së Shtetit kanë krijuar kordon, duke monitoruar nga afër situatën me qëllim garantimin e rendit publik.
Protestuesit kanë bërë thirrje që policia të mos ushtrojë dhunë ndaj tyre siç ka ndodhur në ditët e mëparshme gjatë përplasjeve.
Një gjimnazist ka thënë për A2News se policët kanë rrahur moshatarë të tij.
“Do të vazhdojmë protestën, nuk duam të na rrahin, kemi bërë 5 muaj protestë paqësore nuk i mjaftonte, nuk jep dorëheqjen. Si do futemi në BE me këtë shtet? Këta janë duke luftuar me shtetin e vet. Unë nuk jam dhunuar por shokët e mi minorenë janë dhunuar. Kam frikë, çdo ditë më duket se do më kapin”, tha ai.
Dita e pestë e protestave, i bëhet thirrje diasporës të bashkohet
Prej 5 ditësh Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë përfshirë nga protestat studentore, të cilat janë përshkallëzuar në tensione, dhunë dhe përplasje mes forcave të policisë dhe protestuesve. Edhe për sot dhe nesër është paralajmëruar protestë më e madhe ku është bërë thirrje për përfshirjen e diasporës.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ky i fundit të shtunën u ka premtuar mbështetje nga qeveria bizneseve private të prekura.
"Fëmijët tanë nuk kanë asnjë lidhje me dhunën. Dhuna as nuk ka mandat, as nuk jep mandat", ka thënë ai në një video të postuar në Facebook ku ka prezantuar një faqe të krijuar për deklarimin e dëmeve për bizneset e vogla.
Të rinjtë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qytetarëve, duke hedhur gurë në drejtim të policisë, duke dëmtuar institucione e biznese, ndërsa policia iu është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, raportoi A2.
Mbrëmjen e të premtes u panë edhe momente paqeje mes policisë dhe protestuesve për të vijuar sërish më pas me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
21 të lënduar e 10 të arrestuar dje nga protestat në Tiranë
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike të dhënat për gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar më 16 tetor 2026. Në Tiranë morën trajtim mjekësor 21 persona, ndërsa dy prej tyre vijojnë të marrin shërbim në spital.
Sipas informacionit zyrtar, në Tiranë, Vlorë dhe Lezhë janë trajtuar gjithsej 25 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe të mitur.
Në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë morën trajtim mjekësor 21 persona. Prej tyre, 8 ishin efektivë policie, 10 protestues, mes të cilëve 3 të mitur, si dhe 3 kalimtarë.
Kurse, Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 10 persona dhe ka nisur procedim penal për 22 të tjerë një ditë më parë në kryeqytet. Sipas policisë, gjatë tubimit u hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinës së Ministrisë së Arsimit, ndërsa u dëmtuan 8 punonjës policie.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e arrestuar janë të moshave 18 deri në 37 vjeç.