Plot 100 vite nga krijimi, sheshi “Skënderbej”, vendi simbol i shqiptarëve, merr një pamje të re.
Sot përurohet shndërrimi i këtij sheshi, për të cilin u deshën 10 muaj punë për të krijuar një hapësirë pedonale prej 28 mijë metrash katrore. Sheshi “Skënderbej” në Tiranë mori këtë emër në vitin 1913 dhe në një shekull ka pësuar shumë ndryshime.
Bashkia e Tiranës mban një koncert festiv madhështor në përurimin e sheshit, ndërsa me mijëra njerëz janë mbledhur në të, ku pritet të interpretojnë edhe shqiptarë arbëreshë.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për ndërtimin e sheshit, ndërsa zbuloi se Bashkia ka marrë edhe një ftesë nga bienalja e Çikagos, raporton Tch.
“Jemi të ftuar ta prezantojmë këtë shesh në bienalen e Çikagos, si një nga modelet më të bukura të arkitekturës moderne në botë”, tha Veliaj, raporton Tch.
Ndërkohë, në ceremoninë përuruese foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se është hera e parë për të në politikë që nuk shkruan një fjalim.
“Ky sot është sheshi i shqiptarëve, i Amerikës së vogël të pas viteve të ’90-ta, i Tiranës së tironësve. Ky është sheshi që e përfaqëson me shkëlqimin më të fortë rilindjen urbane. Demokracinë që lidhet me qytetin, njeriun jo thjesht si një qenie me bark, por si individ me emocione, ambicie dhe shpresash, shoqërinë jo si tufë, por si bashkësi ëndrrash. Ky nuk është sheshi i pushtetit, ky shesh është një piramidë e ulur ku qendrën e ka në mes. Çdo qytetar mund të shkojë të qëndrojë në majë të piramidës, për një moment vendimtar për fatet e veta. Për mikroklimën e sheshit, ky shesh është hapësira me mikroklimën më ideale dhe këtë do ta shijojmë si ditën dhe natën. Ky është një shesh që rri mbi ujë. Ky shesh rrethohet me një kurorë të gjelbër, e cila është një tërësi pemësh dhe bimësh nga të gjitha trojet që jetojnë shqiptarët. Ky nuk është sheshi i të fortëve, por i atyre qytetarëve të mirë”, tha në fjalën e tij Rama.