Skender Perteshi nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë ka thënë se Perëndimi nuk po tregohet korrekt karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor, me qasjen “tepër të butë” që po tregon ndaj Serbisë.
Ai në “Interaktiv” është shprehur se qasja e Serbisë gjithmonë ka qenë kundër Kosovës, që vendimet e saj t’i përkthejë si vendime kundër serbëve, si presion apo dhunë ndaj tyre.
“Për shkak të ndryshimeve gjeopolitike, tendenca e Rusisë dhe Kinës për ta futë Serbinë në agjendën e tyre ka bë që Perëndimi të mos jetë shumë korrekt në politikën e jashtme karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me qasje tepër të butë janë duke u mundu që Serbinë ta mbajnë kah Perëndimi dhe kjo me kosto për disa vende të Ballkanit – Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi”, ka thënë ai.
Perteshi ka shtuar se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë rritur buxhetet në sektorin e mbrojtjes me qëllimin që të blejnë armatime.
“Në rastin e Kosovës, në vitin 2021 deri 2023 kemi 200 milionë euro që janë ble armatim. Shqipëria po ashtu ka blerë. Edhe Kroacia e Serbia kanë buxhete mbi 1 miliard euro”, ka thënë ai duke shtuar se rritja e rreziqeve për sigurinë, ka rritur edhe nevojën për përballim më të mirë të atyre rreziqeve.
“Kosova nuk është se po ka dëshirë me ble armatim. Por në krahasim me vendet e rajonit, e ka buxhetin më të vogël ushtarak”.
Ai ka theksuar se nuk beson se në Ballkanin Perëndimor do të ketë konflikt në nivelin e atij në Ukrainë apo Lindje të Mesme. E, sa i përket NATO-s, ai është shprehur se Kosovën e pengojnë shtetet që nuk e njohin e që kanë qëndrim kritik ndaj saj.
“Kosova duhet t’i kryejë detyrat e veta fillimisht që të jetë partner i denjë i NATO-s. Brenda NATO-s janë katër shtete që nuk e njohin Kosovën dhe që kanë qëndrim goxha kritik ndaj Kosovës”.
Perteshi ka thënë se në Kosovë do t’i përshtatej më së miri po qe se do të funksionalizohej shërbimi vullnetar ushtarak. Ndërkaq, largimin e ushtarakëve ai nuk e sheh shqetësues dhe thotë se është trend që ndodh gjithkund në botë për tentim në kërkim të një jete më të mirë.