Gjatë muajve të fundit Resmije Rahmani është përballur me pengesa gjatë mësymjes për t’u qasur në trotuaret përgjatë rrugës unazore të Prizrenit. Ajo është me aftësi të kufizuara dhe thotë se gjatë kësaj kohe përpos që është përballur me rrezikun, ka qenë e privuar edhe nga pjesëmarrja në aktivitetet kulturore që janë zhvilluar gjatë stinës së verës në qytetin e vjetër.
“Jam shumë e mllefosur sepse po zgjat shumë kohë. Ne si PAK krejt vitin po e presim verën që të mund të qarkullojmë më lehtë dhe t’i shfrytëzojmë restorantet jashtë, sepse nuk kanë qasje në brendi. Këtë verë e kemi kaluar si në dimër në PAK, sepse jemi mbyllur në shtëpi, kemi mbetur në shtëpi për shkak të infrastrukturës që kryhet pikërisht gjatë pushimeve të verës, kur është më së miri për të dalë në qytet”.
Antigona Shestan është aktiviste në Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare. Ajo ka theksuar se pengesat e krijuara që prej fillimit të rehabilitimit të rrugës unazore, përpos që kanë rrezikuar gjendjen fizike të personave me aftësi të kufizuara, kanë ndikuar edhe në dëmtimin e mjeteve ortopedike të tyre, të cilat nuk sigurohen nga shteti.
“Ne përditë i kemi ankesat e anëtarëve, të cilat janë mbyllur nëpër shtëpi për shkak të këtyre pengesave të reja tash. Sapo janë mësuar me atë qasjen që e kanë pasur me vite, tash kanë dalë barriera të reja, edhe ka shumë probleme. Nëse nuk rregullohen këto pika dhe këto detaje që janë pengesa të mëdha për PAK”.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj, ka theksuar se për trotuaret në rrugën unazore është hartuar një projekt që aktualisht është në fazën e tenderimit dhe se me zbatimin e tij do të eliminohen pengesat ekzistuese.
“Faktikisht ka me qenë një projekt, i cili ka me qenë shembull jo vetëm për Prizrenin, por në nivel Kosove, kështu që edhe personat me aftësi të kufizuara nuk kanë me pasë problem për qarkullimin e tyre. Është projekt, të cilin ata mund të vijnë në Zyrën e Shërbimeve Publike edhe t’u sqarohet se si kanë me pasë qasje në lëvizjen e tyre, pa asnjë problem”.
Rehabilitimi i rrugës unazore në Prizren është iniciuar muaj më parë. Ndërkaq, shtrimi i shtresës së re të asfaltit ka filluar në muajin qershor të këtij viti.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.