Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Rrahman Jasharaj – Veterani i grevave

Emri i tij asocion me grevën. Gjatë gjithë karrierës së deritanishme prej sindikalisti, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, mbahet mend për greva të realizuara dhe për kërcënimet me grevë.

Dhe, më të gjatën e më masiven e udhëhoqi këtë vit. Ai u vu në krye të këshillit grevist jo veç të mësimdhënësve, por edhe të punonjësve të sektorëve të tjerë publikë, të cilët refuzuan të punonin për më shumë se një muaj.

Vetëm pjesërisht mbërriti t’i realizonte kërkesat, para se të merrej vendimi për pezullim të grevës – instrumentit më radikal sindikal.

Jasharaj i bëri presion qeverisë, por edhe qeveria bëri presin tek ai. Kryeministri e quajti sindikalist i PAN-it, pra ish-koalicionit që përbëhej nga PDK-ja, AAK-ja e Nisma. Kryesindikalisti e akuzoi qeverinë dhe partinë në pushtet se po i bënin presion. Dhe, tha se, shkaku i linçimeve, ka frikë të dalë edhe në rrugë.

Megjithëkëtë, në fund të vitit e riaktualizoi kërcënimin. Tha se janari mund ta rikthejë grevën, në rast se Qeveria nuk përmbush disa prej kërkesave të shtruara gjatë verës.