Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte akteri kyç në dialogun me Serbinë, por në komunikimet për këtë proces jo pak herë foli me arrogancë e nervozizëm. E bëri këtë, në përpjekje për të mos dhënë detaje nga takimet, ani se në opozitë Vetëvendosje kritikonte mungesën e transparencës.
Dozën e nervozit ia shtuan pyetjet e gazetarëve. Banalizoi me pyetje të tyre, kur u lut të tregonte se çfarë do të ndodhte pas së hënës, ditë kur parashihej të niste zbatimi i vendimit për targat. “Vjen e marta pas të hanës”, u përgjigj ai.
Përgjigje të kësaj natyre jorrallëherë i dha edhe opozitës, në seanca e komisione të Kuvendit. Me deputetët oponentë nuk munguan as konfrontimet verbale.
Por, me ndërkombëtarët tregoi sjellje tjetër. Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, i kërkonte falje, pasi që në një cicërimë në Twitter, tha se ai “ka mirëpritur” iniciativën e Kosovës për anëtarësim në këtë Këshill.
Pati edhe momente sprapsjeje. Pak pa mbërritur në Beograd ku ishte ftuar nga disa organizata për të folur në një konferencë mbi sigurinë, policia serbe e detyroi të kthehej.