Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përshtypja e parë e Çanakut për Kosovën: Shumë ndërtime e rrugë të reja

Politikani i njohur serb, Nenad Çanak, në një intervistë për emisionin Desku në KTV, në vizitën e parë në Kosovë që nga viti 2013 ka thënë se përshtypjet e para që i ka lënë Kosova janë ndërtimet e shumta, infrastrukturë të re e dyqanet.

Megjithatë, ai ka thënë se në disa mjedise si Graçanica ka vënë re “njerëz që e mbajnë barrën e disa gjërave të së kaluarës e që nuk shohin të ardhme në Kosovë”.

“Përshtypja ime e parë është se ka tmerrësisht shumë ndërtime, se është ndërtuar shumë. Se është bërë shumëçka, jo vetëm kur është fjala për shtëpitë e ndërtesat, por edhe për infrastrukturë të rrugëve, e kështu me radhë. E kemi shfrytëzuar mundësinë që nga Prishtina të shkojmë në Pejë, e nga Peja në Prizren, ta shohim se si duhet. Dhe, faktikisht gjithandej gjatë rrugës kam parë traktorë të rinj, sisteme të reja të ujitjes nëpër fusha, kam parë shumë vetura të shtrenjta, thjesht, shihet se si bëhet jeta: Shumë shitore me mallra të shtrenjta, që natyrisht se blihen nga dikush. Kjo shihet me sy, ndërkohë që atmosfera më duket më e shtendosur, krahasuar me tetë vjet më parë, në aspektin që njerëzit nëpër rrugë nuk e kanë ngarkesën që e shihja atëkohë. Sido që të jetë, këto janë përshtypjet e mia në disa mjedise, përderisa në disa mjedise të tjera, si në Graçanicë, kam parë njerëz që e mbajnë barrën e disa gjërave të së kaluarës, që nuk shohin të ardhme në Kosovë, që nuk duan që fëmijët e tyre të qëndrojnë këtu, e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Si arsye për vizitën e tij tash në Kosovë, Çanaku ka thënë se ka dashur të vijë në mënyrë që i biri i tij ta shohë Kosovën, pasi ai e kishte pyetur se “A ke qenë ndonjëherë në Kosovë?”

Artikuj të ngjashëm