Është thyer me forcë dera e zyrtarit të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Amir Haziri, nga kolegu i tij, Ragip Zejnullahu. Akti ka ndodhur para rreth dy javësh, në kohën kur Haziri ndodhej në pushim pa pagesë. Teksa ngjarja nuk është mohuar nga zyrtarët e përfshirë, sqarime rreth rastit nuk kanë ofruar as Policia dhe as Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës
Një incident përbrenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndodhur gjatë kësaj jave, kur një zyrtar i lartë ka hyrë me forcë në zyrën e një kolegu të tij.
Burime të ndryshme brenda këtij dikasteri i kanë thënë KOHËS se udhëheqësi i Departamentit për Shërbime të Përgjithshme, Ragip Zejnullahu, ka hyrë me forcë në zyrën e Amir Hazirit, i cili mbulon Departamentin për rajon, përfshirë Serbinë.
Incidenti ka ndodhur para rreth dy javësh dhe gjatë kohës sa Haziri gjendet në pushim pa pagesë. Burimet kanë thënë se, pasi që e ka hapur derën, Zejnullahu ka marrë disa dokumente nga zyra e kolegut të tij.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, forcat e së cilës kanë zbarkuar në MPJD dhe kanë intervistuar të dyshuarit. Nga ministria nuk janë ofruar përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me incidentin.
Ngjarjen nuk e kanë mohuar zyrtarët e përfshirë, teksa kanë sugjeruar që sqarimet të kërkohen nëpërmjet Zyrës për Informim.
në pushim pa pagesë, edhe tri javë ditë. Absolutisht nuk di. Drejtojuni ministrisë edhe folni me ministri. Krejt çka mundem t’ju them është ju lutem folni me policinë edhe ministrinë. Nuk di kurrgjë çka ka ndodhur. Jam në pushim edhe tri javë. Kur dal në ministri i takoj kolegët, sekretarin, drejtorin administrativ dhe e shoh çka është çështja edhe çka ka ndodhur”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq Zejnullahu ka konfirmuar pranimin e pyetjeve nga KOHA, duke shtuar se për to duhet që të deklarohet zyra përkatëse.
“Kontaktojeni zyrën për informim, ata merren me informatat që dalin jashtë ministrisë, kështu që drejtojuni atyre”, ka theksuar ai.
KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga Policia, por as nga ky institucion nuk ka marrë përgjigje gjatë së enjtes.
Ky nuk është rasti i vetëm që i konfirmon problemet brenda MPJD-së. Sistemimi i ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës ka prodhuar dyfishim të pozitave, të cilat janë denoncuar edhe në instancat e tjera. Në pozitën e njëjtë me atë të Ragip Zejnullahut është edhe Agron Maloku. Zejnullahu ka qenë i përfshirë edhe në një aktivitet prokurimi për të cilin kanë nisur hetimet nga njësia e krimeve ekonomike.
KOHA kishte raportuar me një seri shkrimesh për këtë tender. Në mesin e nënshkruesve të tenderit, krahas zyrtarit financiar dhe atij të prokurimit, ka qenë edhe Ragip Zejnullahu nga Departamenti i njëjtë, ku udhëheqësi dhe zyrtari tjetër kishin refuzuar vënien e firmave. Periudhën kur ishte iniciuar ky aktivitet prokurimi, Zejnullahu ka qenë në pritje të miratimit të rregullores përkatëse, e cila mundëson sistemimin e ish-zyrtarëve të diasporës në MPJD.
Përçarjet brenda këtij dikasteri janë shpërfaqur edhe muajin e kaluar, kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil kishte zbarkuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në kuadër të planit të monitorimit. Aty janë konfirmuar përçarjet mes menaxhmentit dhe shoqatës sindikale. Për pasojë, ka munguar një takim i përbashkët me këshillin, ku do të ballafaqoheshin argumentet midis tyre. Ndaras, Këshillit i janë prezantuar pretendimet për shkelje ligjore me rastin e sistemimit të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, duke filluar nga pozita e zëvendëssekretarit.
Me këtë rast është kontestuar edhe Rregullorja për Organizimin dhe Sistematizimin e vendeve të Punës në MPJD, duke thënë se është në kundërshtim me Ligjin për shërbimin e jashtëm.
Në raportet e mëhershme, nga Shoqata është theksuar se ka pozita të mjaftueshme për risistemim të zyrtarëve publikë. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës, çdo anashkalim i këtij procesi, jo vetëm që do t’i dëmtojë zyrtarët publikë, por edhe institucionin e MPJD-së dhe shërbimin e jashtëm, “ngase të njëjtit zyrtarë tani kanë krijuar një përvojë të mirë në këtë dikaster”.
Institucionet përkatëse janë vënë në dijeni edhe për, siç thuhet, fushatën e egër dhe hakmarrëse ndaj zërave kritikë përbrenda ministrisë.
“Menaxhmenti i MPJD-së, pas këtyre veprimeve sindikale, ka filluar dhe po vazhdon një fushatë të egër dhe hakmarrëse kundër Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm. Ky presion ndaj anëtarëve që përfaqësojnë organizimin sindikal është duke u shfaqur në forma të ndryshme. E para, edhe përkundër faktit se ekzistojnë pozita të lira brenda MPJD-së, menaxhmenti nuk është duke i sistemuar një pjesë të zyrtarëve me tendencë që t’i largojë nga ky institucion bartësit e organizimit sindikal, duke përfshirë edhe kryetarin e Shoqatës, i cili është pjesë e dikasterit të jashtëm që nga themelimi i MPJ-së dhe zyrtarëve të tjerë me përvojë të gjatë profesionale dhe institucionale”, është thënë në njërën prej shkresave të Shoqatës, e cila u është përcjellë kryeministrit, presidentes, deputetëve dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Pretendimet për emërime klandestine e deri te fushatat hakmarrëse kundër zyrtarëve kundërshtues brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë duke u trajtuar edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit.