Arbëri

Përplasja Qeveri-gjyqësor shtyn provimin e jurisprudencës

Drejtesia

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka fajësuar udhëheqësit në sistemin e drejtësisë për shtyrjen e provimit të jurisprudencës, që ishte i planifikuar të mbahet të shtunën dhe të dielën. Në Këshillin Gjyqësor kanë konfirmuar se shtyrja e provimit është e ndërlidhur me mospajtimet në raport me Qeverinë, shkaku i vendimit të saj për uljen e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve

Kandidatë të kualifikuar për t’iu nënshtruar testimit të domosdoshëm për t’u bërë avokatë, prokurorë e gjyqtarë, nuk do të mund ta mbajnë provimin e jurisprudencës të paraparë për të shtunën e të dielën.

Provimi që administrohet nga Ministria e Drejtësisë është shtyrë për datë të pacaktuar. Për këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur përgjegjës sistemin e drejtësisë, që ka njoftuar reduktimin e punëve në pakënaqësi ndaj vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Sistemi i drejtësisë duke menduar që po e godet Qeverinë, në fakt po i godet kandidatët, qytetarët e këtij vendi. Kemi marrë një shkresë nga ana e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor e Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, Zogaj, që të shtyhet ky provim për shkak të situatës aktuale, që ndërlidhet me vendimin e paligjshëm që Qeveria jonë e ka shfuqizuar, sepse ishte i paligjshëm. Dhe në këtë drejtim, pas këtij vendimi, ata kanë marrë veprime të tilla që kanë pezulluar punën në komisionet që propozohen në Ministrinë e Drejtësisë dhe që përbërja e tyre është me gjyqtarë e prokurorë”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Një ditë pasi Qeveria mori vendim për uljen e pagave, kandidatëve u është përcjellë një email nga sekretariati i Komisionit të Jurisprudencës që ua kumtonte shtyrjen e provimit, por pa sqarime rreth arsyes.

Në Odën e Avokatëve, që merret me një pjesë të trajnimeve, kanë thënë se shtyrja e provimit i dëmton kandidatët. E si shkaktar për këtë kanë numëruar vendimin e Qeverisë. 

“Lidhur me mosmbajtjen e provimit të jurisprudencës, edhe ky është një dëm i madh që u bëhet juristëve, të cilët nuk mund ta realizojnë të drejtën e tyre ligjore dhe se përfundimisht dëmet janë shumë të mëdha në të gjithë sistemin e drejtësisë.... Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj konsekuent se zvogëlimi i pagave për gjyqtarë dhe prokurorë do të sjellë dëme të pariparueshme për sistemin e drejtësisë, do ta dëmtojë jashtëzakonisht shumë interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët nuk do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre ligjore, derisa të gjithë avokatët e Kosovës, brenda mundësive dhe kompetencave të tyre, janë të gatshëm që edhe në këto rrethana të japin kontributin e tyre, në drejtim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Besim Abdullahu, zyrtar për informim në OAK. 

E kryesuesi i Këshillit Gjyqësor dhe i Komisionit të Jurisprudencës, Albert Zogaj, ndonëse ka shprehur për KOHËN keqardhjen rreth dëmit të shkaktuar ndaj kandidatëve të jurisprudencës, nuk është zmbrapsur nga vendimi për reduktimin e punës. Ai ka thënë se vendimi do të jetë në fuqi deri më 8 dhjetor, derisa të qartësohet situata në raport me Qeverinë.

Në Ministrinë e Drejtësisë kanë bërë të ditur se 270 kandidatë janë kualifikuar për testim me shkrim e 26 për pjesën e riprovimit, në të cilën përgjigjet jepen para anëtarëve të Komisionit.