Arbëri

Përplaset pozita dhe opozita në Kuvendin Komunal të Lipjanit

Kuvendi Komunal në Lipjan ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të enjten, me qëllim të nxjerrjes së një deklarate të përbashkët, për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Ndërkohë, propozimi i opozitës për “miratimin e deklaratës lidhur me veprimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pakonfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake” ka nxitur reagime nga pozita me arsyetimin se deklarata e opozitës propozuar KK-së është kopjuar nga një komunë tjetër.

Ndërkohë, kuvendarët nga pozita kanë propozuar një deklaratë tjetër, e cila ndërkohë është miratuar me shumicë të votave.

Por në anën tjetër opozita ka akuzuar kryetarin e komunës, Imri Ahmeti me arsyetimin se shpeshherë po bën shkelje ligjore, duke ndërhyrë në punën e Kuvendit Komunal.

Lulzim Rrustemi, shef i grupit nga radhët e PDK-së ka thënë se shumica e komunave e ka bërë një deklaratë të tillë unike, prandaj edhe opozita e ka marrë si të tillë. Sipas tij, KK-ja në Lipjan nuk duhet të humbë kohë dhe as këtë unitet, për hir të luftës së UÇK-së. Rrustemi e ka bërë me dije se nuk mund ta obligojnë Kryetarin e Komunës që të besojë se opozita e ka qëllimin e mbarë duke mos paragjykuar dhe nuk i bëjnë këto veprime për postime në “Facebook”.

“Kryetari ka shumë adresa, keni media, keni portale dhe reagoni ku të doni, por foltorja e Kuvendit nuk duhet keqpërdorur për “Facebooka” dhe për deklarime të gjithkujt dhe gjithsecilit. Ne jemi këtu për çështje të qytetarëve. Kuvendi dallon me kompetenca nga kryetari i komunës, andaj kryetari shpeshherë bën ndërhyrje të paligjshme në kuvend. Prandaj e ftoj për maturi, kujdes dhe respektim të normave ligjore”, ka thënë midis të tjerash, Rrustemi.

Në anën tjetër Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, midis të tjerash ka thënë se opozita ka kopjuar deklaratën e Kuvendit Komunal të Skenderajt, andaj Kuvendi nuk duhet të kopjojë.

“Unë e kam këtu deklaratën e Skenderajt, vetëm pika e nëntë i është hequr, bile propozimi që ka shkuar në Kuvendin e Skenderajt ka shkuar identik krejt. Në pikën e dytë është hequr fjala e të tjera, ndërkaq prej A deri ZH është kopje e deklaratës së Skenderajt. Nënshkruesit e tjerë jam i bindur se nuk e kanë ditur se është kopjues, andaj unë nuk jam që Kuvendi të bëjë kopjime sepse përfaqësuesit e qytetarëve kanë aq mundësi ta bëjnë një deklaratë vet”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, Manush Shamolli, kuvendar nga Nisma Socialdemokrate dhe ish pjestar i UÇK-së, ka thënë se kur bëhet fjalë për luftën nuk duhet të bëhet politikë në Kuvend.