Ka dështuar përpjekja e 30-të për konstituimin e Kuvendit. Sërish ngërçi është te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Të mërkurën, propozimi mori 52 nga 93 deputetë që ishin të pranishëm. Seanca e radhës do të jetë të premten nga ora 11:00.
Muja: Ish-opozita po do ta bllokojë formimin e Qeverisë Kurti 3
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se partitë që ishin në opozitë po duan ta bllokojnë formimin e Qeverisë Kurti 3, rrjedhimisht sipas tij, ta mohojë vullnetin politik në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sot është seanca e 22-të ku deputetët e ish-opozitës nuk votojnë fare. Kemi hyrë në javën e pestë ku ka shkuar kërkesa nga opozita në Kushtetuese. Po e presim vendimin. Deputetët e opozitës vijnë këtu me qëllimin e vetëm që të bllokojnë konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që të bllokohet formimi i Qeverisë Kurti 3. Kjo katrahurë është përpjekja për ta bllokuar formimin e Qeverisë Kurti 3, dhe në vetvete për ta mohuar vullnetin politik të manifestuar më 9 shkurt. Kjo është logjika e sjelljes së opozitës”, ka thënë Muja.
VIDEO: Deklarata e plotë:
Të mërkurën, dështoi për herë të 30-të konstituimi i Kuvendit.
Sërish ngërçi është te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
LDK-ja shpalos të enjten planin 15-pikësh lidhur me qeverinë e tranzicionit
Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu, tha se të enjten LDK-ja do të shpalosë një plan prej 15 pikash lidhur me qeverinë e tranzicionit.
“Kjo është një kosto tepër e lartë për qytetarët e Kosovës për funksionimin tonë si demokraci dhe që e cenon demokracinë tonë. Partia e parë nuk sheh ndonjë urgjencë, sepse ka qëllim final që të mos e lëshojë as ekzekutivin. Ata po arrijnë që të marrin vendime antikushtetuse dhe antiligjore. Sa i përket qeverisë gjithëpërfshirëse nesër LDK-ja do të shpalos një plan prej 15 pikash, ku do të elaborohen pika të këtij plani qeverisës”, tha Lushaku-Sadriu.
Ajo ka thënë se LDK-ja ka ardhur me këtë propozim pasi e di që institucionet e shtetit duhet të ruhen.
LDK-ja në komunikatë ka njoftuar se kreu i partisë do ta shpalosë agjendën 15-pikëshe në një konferencë për media të enjten nga ora 11:00.
"Nesër (e enjte), më datë 12 qershor, në orën 11:00, Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie, ku kryetari Abdixhiku shpalosë agjendën 15 pikëshe të Qeverisë së Unitetit Kombëtar", u tha në njoftimin e LDK-së.
Ka përmendur edhe ndalimin e ish-zyrtarit policor në Serbi.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve që t’i marrin veprimet e menjëhershme që ai të lirohet.
VIDEO: Deklarata e plotë
Dështon përpjekja e 30-të
Ka dështuar përpjekja e 30-të për konstituimin e Kuvendit.
Sërish ngërçi është te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Të mërkurën, propozimi mori 52 vota për nga 93 deputetë që ishin të pranishëm.
Seanca e radhës do të jetë të premten nga ora 11:00.
Në fillim të seancës, deputetët nderuan me një minutë heshtje vdekjen e kryeministrit të qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi.
VIDEO:
Hasani: Më nuk vij në Kuvend për refrenin e njëjtë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani ka thënë se nuk do të shkojë më në Kuvend për përpjekjet për konstituim.
Ai ka deklaruar se problemi për ngërçin politik janë kryetarët e partive.
“Qëndrimi im është që më mirë mos me ardhë fare, unë kam thënë që të vijnë vetëm kryetarët e partive dhe le të na përfaqësojnë. Cila është arsyeja që të na mundojnë neve me ardhë, duhet me ardhë prej Prizrenit këtu me dëgju atë refrenin për të 30-tën herë. Kjo është e dëmshme në raportin e marrëdhënieve ndërkombëtare në të cilën po kalon Kosova... Unë për herë të fundit sot vij, 30 në libër të guinness jemi... jo, ju kam treguar të gjithëve”, tha ai.
Haradinaj: Po shkojmë drejt zgjedhjeve
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se zgjedhjet e reja janë në horizont por duhet pritur së pari për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Shumica e deputetëve kanë të drejtë me i bojkotu tash seancat. Po duket që po shkojmë drejt zgjedhjeve. Tash kur merr epilog, ta shohim. Po e presim vendimin e Kushtetueses, ajo mund t’i japë drejtim kësaj çështje”, ka thënë Haradinaj para seancës së sotme.
Ai shprehu keqardhje me atë çka po ndodh në Kuvend.
Murati: Qe 21 herë deputetët e opozitës po e shkelin Kushtetutën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, para fillimit të seancës konstituive, ka kritikuar ashpër deputetët e ish-partive opozitare për, siç tha ai, shkelje të Kushtetutës.
“Deputetët duhet ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, të votojnë – pro, kundër ose abstenim. Qe 21 herë deputetët e opozitës e shkelin Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim”, deklaroi Murati.
Për herë të 30-të deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë do të mblidhen të mërkurën në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për 29 herë, Kuvendi deri tash ka dështuar ta zgjedhë kryeparlamentarin dhe të vazhdohet me formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, fillimisht ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Por pas disa dështimesh që ta marrë shumicën, kjo parti propozoi që të formohet komision për votim të fshehtë që po ashtu nuk po merr mbështetjen. Në 20 herë me këtë përpjekje, deputetët e partive opozitare kanë refuzuar të votojnë.
Zemaj: Kurti t’i thërrasë ndërgjegjes, institucionet të formohen sa më shpejtë
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet t’i thirr ndërgjegjes dhe institucionet të formohen sa më shpejtë.
“Sa më shpejt që të ketë thirrje të ndërgjegjes te Kurti që të ketë formim të institucioneve”, u shpreh ai para nisjes së seancës së 30-të konstituive.
Zemaj u shpreh se LDK-ja vazhdon t’i qëndrojë propozimit për qeveri të unitetit dhe paralajmëroi se së shpejti do të dalin me pika konkrete.
Deputeti i LDK-së gjithashtu foli edhe për protestën e bizneseve, duke thënë se ajo duhet të jetë më e madhe dhe të përkrahet edhe nga qytetarët e politike “që të mos lejohet zhvatja e buxhetit të shtetit”.