Reshjet e fundit kanë shkaktuar përmbytje të reja. Fermerët u ankuan se dëmet që pësuan u vijnë edhe për shkak të projekteve shtetërore, nga të cilat janë mbyllur kanalet kulluese. Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk u janë përgjigjur akuzave, e ekspertë të ujerave thonë se mungon koordinimi i nivelit qendror me atë lokal, për të ndërmarrë veprime që do ta minimizonin dëmin nga përmbytjet
Vërshimet e në fillimjavë, Besnik Dërgutit nga fshati Varosh i Ferizajt ia çuan huq punën 2-mujore të të mbjellave.
Dërguti thotë se asnjëherë nuk janë vërshuar tokat bujqësore, e për këtë radhë mban përgjegjës punëkryesin e hekurudhës që lidh Fushë-Kosovën me Hanin e Elezit.
“Ka filluar me pjesë-pjesë duke e rregulluar dhe i ka mbyllur kanalet e ujërave atmosferike që kalojnë aty dhe e ka lëshuar vetëm këtë pjesën nga na vjen uji”, thotë Dërguti. “Sipas mendimit tim, dëmi që ka ardhur është për shkak të neglizhencës së punës së punëkryesit të projektit të hekurudhave”.
Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS përkitazi me pretendimet e këtij fermeri.
E një raport i auditimit thotë se institucionet përgjegjëse të nivelit qendror dhe lokal nuk kanë arritur të krijojnë një sistem të përshtatshëm për parandalimin dhe reagimin ndaj përmbytjeve.
“Mospërditësimi i planeve kyç nga KSK-ja, AME-ja dhe komunat për menaxhimin e situatave emergjente kombëtare dhe lokale, mungesa e burimeve njerëzore dhe materialeve reaguese, mungesa e planit të komunikimit të përbashkët, paqartësitë në ndarjen e përgjegjësive të koordinimit, janë disa nga mangësitë”, shkruhet ndër të tjera në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Avdi Gjonbalaj është ekspert i ujërave dhe ua faturon përgjegjësinë institucioneve, në lidhje me përmbytjet e shpeshta.
“Prej 500 kilometrash lumenj që duhen rregulluar, janë rregulluar 150 kilometra. Presin përafërsisht edhe 350 kilometra lumenj të rregullohen në të ardhmen. Mirëpo, që nga viti ’90 askush nuk merret me rregullim të lumenjve”, ka thënë Gjonbalaj. “Problemi është që nuk e kemi shtruar problemin në nivel të trajtimit nga pushteti qendror dhe pushteti lokal. Pushteti lokal dhe qendror duhet të jenë të koordinuar mes vete”.
Sipas tij, planet zhvillimore të komunave nuk trajtojnë problemin e vërshimeve. Ai thotë se duhet të ketë edhe planifikim të ndërtimeve.
“Pushteti lokal duhet t’i definojë zonat se ku lejohet, në çfarë distance, në çfarë shkalle të sigurisë dhe objektet industriale po ashtu duhet të caktohet se me çfarë shkalle sigurish duhet të mbrohen”, ka theksuar Gjonbalaj.
E lidhur me planifikimin e ndërtimeve në zonat ku janë të rrezikuara nga përmbytjet, KOHA ka marrë një përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Jemi në fazën e zhvillimit të projektit ‘Hartat e rrezikshmërisë dhe rrezikut nga vërshimet në të gjitha pellgjet lumore të Kosovës’, i cili do të përfundojë në janar të vitit 2024. Ky projekt do të na ndihmojë shumë në planifikimin e ndërtimeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Por, në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave thonë se janë në koordinim të vazhdueshëm me nivelin lokal për reagimin në situata emergjente.
“Koordinimi i Agjencisë më nivelin lokal për zbutjen e fatkeqësisë, parandalimit dhe reagimit ndaj situatave emergjente është i vazhdueshëm dhe realizohet varësisht nga situatat dhe kërkesat e paraqitura në terren”, thuhet në një përgjigje të Agjencisë.
Sipas Agjencisë, shkaqet e përmbytjeve dallojnë në çdo komunë dhe thonë se kryesisht lidhen me mosmirëmbajtjen dhe menaxhimin e shtretërve të lumenjve dhe ujëmbledhësve.
Por, fermeri Besnik Dërguti thotë se është dora e njeriut ajo që ia çoi dëm të mbjellat në vlerë prej 15 mijë eurosh.
“I kam pasur diku 2,000 fije fidanë speca, siç po shihet këtu. Afër 1,800 fije të domates. Do të thotë, çka janë në sera dhe në këtë hapësirën e përjashtme, i kam mbi 3500-3600 fidanë. Prapë domate. Më janë dëmtuar afër 7 ari hudhra, afër 34-35 ari kanë qenë kunguj”, tregon ai.
Gjatë gjithë javës kanë ndodhur vërshime gjithandej Kosovës, shkaku i të reshurave të mëdha dhe tejngopjes së tokave në vise të ulëta dhe përgjatë rrjedhave lumore. Nga to janë dëmtuar shumë kultura bujqësore.