Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përfundon pa rezultat rundi i ri i dialogut në Bruksel

Në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrëvesve, janë diskutuar një sërë temash.

Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që lidhet me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Edhe S’ka përparim në dialog: Kosova kërkon zbatim të marrëveshjes, Serbia Asociacionin Arbëri S’ka përparim në dialog: Kosova kërkon zbatim të marrëveshjes, Serbia Asociacionin

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, tha Bislimi në fund të takimit.

Bislimi, pas takimeve në Bruksel ka thënë se nuk është dashur të priten rezultate.

Ai ka thënë se takimet kanë qenë fillim i diskutimeve në mënyrë që të jetë e qartë se ku janë palët në proces dhe ku duan të shkojnë.

“Sekuencimi ishte pjesa qendrore për ne, kemi pasur një propozim të z. Lajçak, kemi pasur shumë vërejtje tona. Kemi bërë propozimet në draftdokumentin e Lajçakut dhe kemi zgjeruar domenin. Kemi dashur të sigurohemi se secili nen i marrëveshjes bazë është i përfaqësuar në aktivitete në zbatimin e tij. Pala serbe nuk dorëzoi ndonjë propozim, tha na intereson tema e Asociacionit e pastaj flasim për tema tjera”, ka thënë ai.

Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët... për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.

Para takimit trepalësh, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

Ky ishte takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.

Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Nënvizova po ashtu rëndësinë që të evitohet çfarëdo lëvizje e pakoordinuar që mund të dëmtojë procesin”, ka shkruar Lajçak. Ndërkaq, duke iu referuar vizitës që zhvilloi në veri të Kosovës, ku ka biseduar për situatën aktuale, ai ka tërhequr vërejtjen se “ajo që kam dëgjuar, më ka shqetësuar”.

“Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.

Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviqi që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

BE-ja pret që pas takimit të së hënës të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Palët tashmë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

Ekzekutivi kosovar insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Edhe Bislimi akuzon Petkoviqin për deklarime të rrejshme pas takimit të 10 qershorit në Bruksel Arbëri Bislimi akuzon Petkoviqin për deklarime të rrejshme pas takimit të 10 qershorit në Bruksel

Edhe BE-ja, sipas një zyrtari të lartë, është e mendimit që themelimi i Asociacionit është çështja kryesore që do të vendosë edhe fatin e tërë procesit dhe kjo çështje konsiderohet si prioriteti kryesor, edhe pse sipas Aneksit të marrëveshjes, të gjitha pikat formalisht duhet të kenë rëndësinë e njëjtë.

Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në.

Kryeministri Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshjes për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore./REL


Bislimi thotë se Lajçaku ka sqaruar deklaratën se “draftstatuti i prezantuar është pikënisje për Asociacionin”

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimeve të hënën në Bruksel, ka thënë se gjithçka që është diskutuar sot ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit.

Ai ka thënë se sekuencimi për palën kosovare ka qenë pjesa qendrore.

“Ne kemi pasur një propozim të z. Lajçak, ku kemi pasur shumë vërejtje tona. Kemi bërë propozimet në këtë draft-dokument të z. Lajçak ku kemi zgjeruar domeinin dhe kemi dashur të sigurohemi që secili nen i Marrëveshjes Bazike është i përfaqësuar në aktivitetin e zbatimin e tij. Pala serbe nuk ka dërgu ndonjë propozim por ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet në mënyrë që bashkërisht të dilet me një plan të zbatimit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se situata në veri nuk është trajtuar fare sot.

Ka shtuar se për takimin e nivelit e lartë në 2 maj nuk ka qenë pjesë e takimit sot, mirëpo ka qenë dokumente të cilat na ka dërguar Lajçaku në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë.

“Ai ka sjellë përshëmbull një draft se si do të duhej të dukeshin termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e Marrëveshjes Bazike, draft-dokument për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me zbatimin e Marrëveshjes për të Pagjeturit dhe një metodologji për atë se si ai e sheh punën e mëtejme rreth zbatimit të pikës 7 të Marrëveshjes Bazike. Dy dokumentet që i ceka në fillim kanë ardhur të enjten dhe rrjedhimisht për ne ka qenë e pamundur që sot të vijmë me përgjigjet në plotni, por kemi premtuar që të njëjtat do t’i dorëzojmë deri ditën e premte, pas konsolidimit të të gjitha komenteve që vijnë nga palët e angazhuara. Ndërkaq për metodologjinë kemi thënë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për një prej pikave të marrëveshjes pa pasur një plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi dhe rrjedhimisht të njëjtën nuk është diskutu fare’’ tha Bislimi.

Derisa ka folur për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes ai ka thënë se “ka dallim mes asaj që themi ne si palë subjektive dhe mes asaj që jemi dakorduar”.

Sipas tij, në aneksin e Implementimit për të cilin janë dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe poashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Duke shtuar se kjo është për ta udhërrëfyes, ajo çka është dakorduar.

“Unë nuk besoj që ka gatishmëri nga BE që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në webfaqen e tyre.’’

Mbi atë se çfarë është pikënisje e diskutimit për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes bazike, Bislimi ka thënë se u sqarua se ‘’Tek zbatimi i pikës 7, sot është precizuar nga z. Lajçak se ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të facebook-ut. Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7, ashtu siç kemi thënë dhe ne disa herë në prononcimet tona publike. Pjesë të tjera janë pastaj ato kriteret për të cilat kemi folur që janë shumë me rëndësi. Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkovic edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne asociacionin”.

Mbi takimet e radhës dhe vijimësinë e procesit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se nuk e kanë precizuar sot se si do të ecet tutje.

Ka shtuar se Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës, duke theksuar se kjo vlen edhe për Grupin Punues, apo Komitetin e Përbashkët për Personat e Pagjetur.

Edhe Bislimi e Petkoviqi takohen në Bruksel Arbëri Bislimi e Petkoviqi takohen në Bruksel

Sipas Bislimit, në draftin e dërguar nga Lajçak thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik.

“Tash data 28 maj për ne nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi, për arsye se kemi pas një proces demokratik dhe është shumë normale që ky proces demokratik të finalizohet me aktin e emërimit dhe dhënies së betimit nga kryetarët aktual. Ne kemi informuar z. Lajçak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajçak”, ka thënë ai. ‘’Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë”.