Pejë, 11 prill –Komuna e Pejës edhe këtë vit, do të përballet me problemin e pazgjedhur të banimit për dhjetëra familje nevojtare. Ky problem që po trashëgohet nga viti në vit, duket se as gjatë vitit vijues nuk do të gjejë zgjidhje, së paku jo për familjet që nuk kanë kurrfarë prone të veten.
Me një projekt të saj për ndërtimin e shtëpive për banim social, Komuna e Pejës, ka planifikuar që në bashkëfinancim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të përkrahë financiarisht vetëm familjet që kanë truall të vetin, por që nuk kanë mundësi financiare të ndërtojnë vetë tërë shtëpinë.
“Bëhet fjalë për subvencionimin e 20 familjeve që kanë prona të veta dhe nuk kanë mundësi ta përfundojnë ndërtimin e shtëpisë. Një pjesë të mjeteve i jep ministria e një pjesë tjetër kryetari nga kodi i vet për subvencione”, tregon drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Petrit Loci, qëllimin e këtij projekti. Shuma e mjeteve që do të jepen nuk janë të precizuara sa do të jenë, por sipas Locit ato do të saktësohen në bazë të kushteve dhe specifikave të familjes, që do të subvencionohet.
“Pra, varësisht prej nevojës, mund të ndihmohet ndërtimi i themelit të shtëpisë, ndërtimit të një kati të shtëpisë, kulmit apo kompletimit të përfundimit të investimit të filluar në shtëpi nga një familjet në kushte të vështira ekonomike”, thotë Loci.
Ky plan i komunës shikohet me sy kritik nga këshilltari i Vetëvendosjes në KK të Pejës, Avdi Shkreli. Sipas tij, më e dobishme dhe më e qëlluar do të ishte që të ndihmohen familjet që janë raste sociale dhe që nuk kanë kurrfarë prone.
Në bazë të hulumtimit që është bërë, janë diku prej 50 deri në 75 familje që kanë nevojë për strehim në një të ardhme të shkurtër”, thotë drejtori Loci. Për zgjedhjen e problemit të banimit për këto familje, komuna i ka tri ndërtesa për banim social, por vetëm si vizatime në letër (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
-
Keqplanifikimi i buxhetit lë pa mbështetje familjet me kushte të rënda banimi
-
Pejë, paraqiten rreth 200 kërkesa për legalizim brenda 6 muajve
-
Qe 12 vjet Komuna s’e ndërton infrastrukturën e trojeve në Tabje
-
Banorët e Pejës kërkojnë ndërrim të destinimit të tokës nga banimi individual në atë kolektiv
-
Prej disa vjetësh rreth dhjetë banesa sociale në Shtime të pashfrytëzuara